English

PS, Dade: Pse pengon Berisha hapjen e kutive

Tiranë, 9 shtator NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade doli sot në një konferencë për shtyp ku kërkoi publikisht nga kryeministri Sali Berisha që të shpjegojë arsyen e vërtetë të këmbënguljes për të penguar hapjen e kutive.

"Dëshiroj të ripërsëris qëndrimin e vendosur të Partisë Socialiste për kushtet që diktojnë marrëdhënien me Kuvendin e dalë nga deformimi i vullnetit të votuesit përmes vjedhjes së votave dhe mandateve të mbetura peng në kutitë që duhen rinumëruar dhe materialet zgjedhore që duhen rishqyrtuar.

Kërkesa e Partisë Socialiste është ligjore dhe konform detyrimit për transparencë ndaj publikut dhe ndaj votuesve shqiptarë, si edhe në linjë me konstatimin e vëzhguesve ndërkombëtarë që në një të tretën e zonave zgjedhore procesi i numërimit është kryer keq ose shumë keq" deklaroi Dade.

Sipas saj, Sali Berisha duhet t'u shpjegojë shqiptarëve arsyen e vërtetë të këmbënguljes për të penguar hapjen e kutive e për të bërë transparencën e materialeve zgjedhore në ato zona që ne kemi kërkuar rinumërim.

"Shqiptarët e meritojnë transparencën për zgjedhjet edhe si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian.

Vjedhja e votës, korrupsioni elektoral dhe mungesa e transparencës rreth procesit zgjedhor në Shqipëri duhet të marrë fund dhe kjo do të bëhet vetëm përmes hapjes së kutive që mbajnë peng mandatet e vërteta të të zgjedhurve nga populli" përfundoi deputetja e PS-së Arta Dade.

k.k/NOA

Â

KOMENTE