English

Qeveria e re, gjithçka për emrat që ikën, ata që u qarkulluan dhe më të rinjtë e "Berisha 2"

Tiranë, 9 Shtator NOA Update - Qeveria e re që prezantoi kryeministri i dekretuar sot, Sali Berisha, ka në përbërje vetëm një femër, por parashikohet që gjatë mandatit katërvjeçar të ketë ndryshime që do të shtojnë numrin e "seksit të dobët" në Qeveri.

Këtë e pohoi Berisha sonte në konferencën për shtyp ku prezantoi kabinetin e tij të ri.

Berisha tha se "ky është vetëm fillimi", kur u pyet se pse ka një prurje kaq të vogël të femrave në qeveri. Majlinda Bregu, është ministrja e vetme në qeverinë e re të Berishës.

Në fakt, ajo është ministrja më jetëgjatë e dikasterit të Integrimit, pasi më parë postin e kanë mbajtur nga disa muaj, Arenca Trashani, Sokol Nako, Paskam Milo, etj.

***

Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sonte qeverinë e tij të re, duke pohuar se nuk bëhet fjalë për përsosmëri. Ai pranoi se ishin deri 50 kandidatura për 14 portofolet ministrore.

Bujar Nishani ishte ministër i Brendshëm, emërohet ministër i Drejtësisë, duke i zënë vendin kështu Enkelejd Alibeajt.

Ky i fundit, një ndër emrat e KOP, organizatë pranë PD e krijuar në prag të zgjedhjeve të vitit 2005 që i siguruan rikthimin në pushtet PD-së, do të kujtohet si ministri që krijoi më shumë përplasje me Prokurorinë e Përgjithshme, gjykatat dhe institucione të tjera të drejtësisë, për tejkalim dhe marrje kompetencash dhe përplasje të tjera institucionale.

Ridvan Bode, mbetet edhe për këtë mandat katër vjeçar, ministër i Financave.

Bode do të kujtohet në fillesat e tij në këtë post në vitin 1996, kur paralajmëroi se paratë që po futeshin masivisht me fajde nga shqiptarët,

Lulzim Basha, nga ministër i Jashtëm vjen në qeverinë e re si Ministër i Brendshëm.

Në gjysmën e mandatit të mëparshëm, Basha ishte ministër i Transporteve dhe më tej, titullari i ministrisë së jashtme.

Berisha theksoi se "Basha së bashku me z.Meta do të jenë lojtarët kryesorë të procesit të heqjes së vizave për shqiptarët".

Në qeveri ka hyrë dhe Arben Imami si ministër i Mbrojtjes. Një ndër themeluesit e PD, Imami u largua nga kjo parti në mesin e viteve '90 duke hyrë në Aleancën Demokratike të Neritan Cekës por disa vite më vonë u rifut në PD duke marrë post kyç në kabinetin e Berishës gjatë mandatit të mëparshëm.

Ministër i Bujqësisë u emërua Genc Ruli i cili në kabinetin e mëparshëm ishte ministër i Ekonomisë. Ruli mori kështu postin e Jemin Gjanës, i njohur ky i fundit si një ndër njerëzit më militantë të Partisë Demokratike. Berisha shprehu falënderim për Gjanën duke theksuar se "pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunim në fushën parlamentare".

Sokol Olldashi, mbetet sërish ministër i Transporteve, pasi e drejtoi këtë dikaster në dy vitet e fundit të qeverisë së parë të Berishës. Në dyvjeçarin e parë, Olldashi ishte ministër i Brendshëm.

Një hyrje e re është Myqerem Tafaj i cili ka marrë postin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Berisha tha se Tafaj, deri sot këshilltar i kryeministrit për çështjet e arsimit, është njeriu që ka hartuar reformat arsimore.

Këtu Berisha falënderoi Fatos Bejën duke siguruar se ai do të jetë pjesë e rëndësishme e Parlamentit, pasi pritet të rikthehet si një ndër tre nënkryetarët e rinj të Kuvendit që do të ridrejtohet nga Jozefina Topalli.

Berisha, në qeverinë e re, ka menduar edhe për minoritetin grek, edhe pse PBDNJ nuk pranoi të përfshihej në kabinetin e tij. Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është emëruar Spiro Ksera, deputet i ri i PD, deri dje, prefekt i Qarkut Gjirokastër.

Në qeverinë e re hyn dhe deputeti i Durrësit, Ferdinand Xhaferri i cili merr vendin e ministrit të komanduar Ardian Turku. Ky i fundit mori vendin e Ylli Pangos i cili u shkarkua nga Berisha pas një afere të dyshuar seksuale.

Berisha ka prezantuar dhe ministrin e Mjedisit që do të jetë për katër vitet e ardhshme, Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane.

Kështu Berisha ka përfshirë në kabinetin e tij, emrin më të përfolur të ngjarjes së Gërdecit.

Mediu, ish ministër i Mbrojtjes, dha dorëheqjen pak ditë pas 15 marsit 2008 kur në Gërdec, nga shpërthimi i municioneve të kalibrit të rëndë, 26 vetë gjetën vdekjen dhe mëse 300 të tjerë të pafajshëm u plagosën duke pësuar dëmtime në shkallë të ndryshme.

Gjithashtu u konstatuan dëme prej afro 20 milionë euro.

Shpërthimi ndodhi në fshatin Gërdec buzë autostradës Tiranë-Durrës, pak kilometra larg aeroportit dhe nga ekspertët ky fakt konsiderohet si papërgjegjshmëri e shtetit që lejoi ngritjen e një fabrike demontimi në një zonë të tillë, kaq shumë të mbipopulluar.

Nga qeveria ka dalë dhe vajza e Sabri Godos. Anila Godo drejtoi për afro dy vjet ministrinë e Shëndetësisë, pas shkarkimit nga detyra të kreut të PDK, Nard Ndoka i cili pati përplasje me Berishën.

Berisha ka vendosur të mos e largojë nga qeveria edhe Genc Pollon duke e emëruar ministër Shteti për marrëdhëniet e qeverisë me Parlamentin.

I larguar nga PD në vitet '90 kur krijoi dhe Partinë Demokrate të Reformuar, Pollo u rikthye pranë Berishës duke e shkrirë partinë e tij dhe marrë postin e ministrit të Arsimit e më tej atë të zëvendëskryeministrit që në kabinetin "Berisha2" i përket kreut të LSI, Ilir Meta.

e.r/NOA

Ministrat që nuk u përfshinë në qeverinë e re:

Jemin Gjana

Lufter Xhuveli

Anila Godo

Gazmend Oketa

Fatos Beja

Ardian Turku

Enkelejd Alibeaj

Viktor Gumi

Emrat e rinj në qeveri:

Arben Imami

Dritan Prifti

Myqerem Tafaj

Petrit Vasili

KOMENTE