English

Qeveria thotë se ka një plan të posaçëm për mësimin në masë të gjuhës angleze

Tiranë, 9 Shtator NOA - Qeveria shqiptare, në mandatin që pritet të fillojë, ka një plan të posaçëm për mësimin në masë të gjuhës angleze në vendin tonë, sidomos për moshat parashkollore.

Këtë e pohoi Kryeministri Sali Berisha i cili priti në takim Lordin Alan Watson, kryetar i Bashkimit Anglishtfolës, Organizata më e madhe anglishtfolëse në botë.

Kjo organizatë, shtrihet në më se 50 vende dhe prej dekadash pozicionin e kryetarit të nderit e mban Mbretëresha Elizabet.

Lordi Watson ndodhet për vizitë në vendin tonë me rastin e lançimit zyrtar të përfaqësimit të Bashkimit Anglishtfolës në Shqipëri, gjatë ceremonisë së të cilit, Kryeministrit Berisha i është dhënë edhe certifikata e Presidentit të Nderit të Bashkimit Anglishtfolës për Shqipërinë.

Kryeministri e falënderoi atë për përzgjedhjen që Bashkimi Anglishtfolës i ka bërë Shqipërisë duke e cilësuar këtë një eveniment jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Duke vlerësuar rëndësinë dhe peshën, që gjuha angleze ruan në arenën ndërkombëtare, në të gjitha fushat, qoftë në atë të marrëdhënieve ndërkombëtare, jurisprudencës, shkëmbimeve kulturore, tregtare, deri te shoqëria e informacionit dhe bota e internetit, Berisha i bëri me dije Lordit Watson për angazhimin e qeverisë shqiptare për promovimin e mëtejshëm të gjuhës angleze në vend, si brenda institucioneve arsimore, ashtu edhe me gjerë.

Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se në mandatin që sapo ka filluar, qeveria shqiptare do t'i kushtojë një rëndësi të veçantë promovimit të mësimit të gjuhës angleze edhe për moshat parashkollore, krahas konsolidimit të vazhdueshëm te infrastrukturës teknike e njerëzore për nivele evropiane të mësimdhënies së gjuhës angleze në të gjitha shkollat në vend.

Në këtë aspekt, Berisha theksoi arritjet e qeverise shqiptare ne fushën e arsimit gjatë katër viteve të shkuara si futja e internetit në të gjitha shkollat e vendit etj.

Ndërkaq, Lordi Watson e falënderoi Berishën për angazhimin e tij dhe të qeverisë shqiptare, për promovimin e mëtejshëm të gjuhës dhe kulturës angleze në vend.

Këtu, ai i shprehu Kryeministrit angazhimin e tij dhe të Bashkimit Anglishtfolës për t'i ofruar mbështetje qeverisë shqiptare, në veçanti në projektet që kanë të bëjnë me promovimin e gjuhës dhe kulturës angleze, në fushën e arsimit dhe më gjerë.

Në takim gjithashtu u diskutua mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Lordi Watson, duke vlerësuar arritjet e qeverisë në këtë drejtim, shprehu gatishmërinë e Bashkimit Anglishtfolës të punojë ngushtësisht me institucionet shqiptare në fushën e arsimit, për të dhënë kontributin e tij në ndihmë të procesit të integrimit, në ato aspekte që Bashkimi Anglishtfolës ka mundësinë, përvojën dhe ekspertizën e nevojshme.

e.l/NOA

KOMENTE