English

Topalli merr pjesë në përkujtimin e kryengritjes së parë antikomuniste në Evropë

Shkodër, 9 shtator NOA - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli nisi ditën e parë, pas zgjedhjes së saj për një mandat të dytë në këtë detyrë, e ftuar në përkujtimin e Kryengritjes antikomuniste në Postribë, që shënohet e para në Shqipëri dhe Evropë.

Përfaqësues të shtresave të të përndjekurve politikë, familjarë e të afërm të viktimave përkujtuan këtë ngjarje historike, ku njerëzit e diktaturës vranë 21 burra e të rinj, pushkatuan 19 të tjerë dhe dhjetëra persona të tjerë u burgosën e u persekutuan. "Gjatë këtyre ditëve, jam e sigurt që edhe ju keni ndjekur në media përkujtimin që i është bërë rrëzimit të komunizmit, fillimit të lëvizjes anti-komuniste në Europë, në Hungari, në Çeki. Në muajt e ardhshëm në fillim të nëntorit, një përkujtim i madh, një ngjarje e madhe dhe ceremoni e veçantë do të jetë rrëzimi i Murit të Berlinit. Por, unë them se ne shqiptarët, ju nga Postriba jeni më krenarët nga të gjithë, pasi keni qenë të parët në rrëzimin e komunizmit. Keni qenë të parët që keni kërkuar lirinë. Keni qenë të parët për të sakrifikuar dhe ka qenë një sakrificë e madhe, një sakrificë me gjak dhe njerëz, sakrificë në jetë, sakrificë në sulmet që i bëheshin Postribës, Shkodrës, rrethit tonë pastaj për ta përcjellë e për ta rrezatuar me qëllim mbajtjen nën hijen e frikës, nën hijen e burgut të gjithë shoqërinë shqiptare, të gjithë shqiptarët' deklaroi sot Topalli.

"Nuk ka krenari më të madhe sesa të jesh i pari në një betejë që është gati një betejë me të pamundurën. Nuk ka krenari më të madhe sesa të jesh pjesë e atyre familjeve që vërtet sakrifikuan, që vendosën jetën e tyre në themel të asaj që do të ishte liria e të gjithë shqiptarëve. Nuk ka krenari më të madhe për të gjithë familjarët që sot janë këtu të pranishëm, që kanë humbur jetën e familjarëve, të të dashurve, të baballarëve, të gjyshërve të tyre për të qenë këtu ku jemi ne sot. Po të mos ishin ata Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot. Nuk do ta kishin emrin shqiptarë dhe flamuri ynë nuk do ishte ai që është sot: flamuri më i bukur në botë' shtoi më tej kryeparlamentarja gjatë përkujtimores.

Duke folur mbi sfidat e katër vjeçarit të ardhshëm, Kryetarja e Kuvendit theksoi se kjo legjislaturë nis në një stad më të lartë se ajo e katër viteve më parë.

 "Asnjëherë s'kam qenë më krenare sesa kësaj radhe për zgjedhjet që shqiptarët zhvilluan me një maturi të jashtëzakonshme. Këto ishin zgjedhjet më të mira të këtyre dy dekadave, mandati më i fortë më i sigurt që secili prej 140 deputetëve ka marrë si asnjëherë tjetër gjatë këtyre dy dekadave. Parlamenti më i vërtetë, Parlamenti me mandatin më të fortë dhe ne që jemi anëtarë të këtij Parlamenti vërtetë kemi privilegjin e madh që të jemi një ndër 140, por mbi të gjitha kemi përgjegjësinë e madhe për t'iu përgjigjur çdo kërkese, çdo mendimi që secili prej jush ka pasur në momentin që ka hedhur votën dhe ka votuar për Partinë Demokratike"  tha Kryetarja e Kuvendit.

k.k/NOA

KOMENTE