Shkup, 9 shtator NOA-Pesë ditë pas fatkeqësisë në Liqenin e Ohrit, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski refuzon të konfirmojë nëse do pranojë dorëheqjen e Ministrit të Transportit, Mile Janakievski i cili u largua nga qeveria menjëherë pas tragjedisë.
Partitë opozitare dhe analistët theksojnë se nëse kryeministri vazhdon ta mbrojë anëtarin e kabinetit të tij, atëherë ai vetë duhet të marrë përgjegjësinë për ngjarjen.
Shkaqet për fundosjen e anijes ende nuk janë sqaruar, por mendohet se ato janë një kombinim i problemeve teknike dhe mbingarkesa.
Dilemat që shtrohen janë nëse anija ka marrë në mënyrë të rregullt lejen për lundrim nga Ministria e Transportit.
Opozita kërkon që dorëheqjen ta japë edhe Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.
Ndërkohë, partitë në pushtet po tregohen të përmbajtura dhe po bëjnë thirrje që tragjedia të mos përdoret për sulme me motive politike.