Pejë, 10 shtator NOA-Gjatë kontrollit të një numri të madh të argjendarive në Pejë, oficerë të Doganës së Kosovës kanë konfiskuar rreth 2.2 kilogram ari.
"Deri më tani janë kontrolluar një numër i madh i argjendarëve mbi 180 subjekte tregtare. Gjatë kontrolleve, janë kontrolluar librat e blerjes, librat e shitjes, janë numëruar stoqet dhe nga secili pronar i argjendarisë janë kërkuar dëshmi tjera mbi prejardhjen e mallit. Kontrollet e ushtruara kanë rezultuar me konstatim të parregullsive dhe gjetjen e sasive të konsiderueshme të mallit pa prejardhje", thuhet në faqen zyrtare në internet të Doganës së Kosovës.
Dogana e Kosovës në qershor kishte filluar një aksion për kontrollin e argjendarive në Kosovë, me qëllim të kontrollit të veprimtarive tregtare që merren me shitblerje të Arit & Argjendit.
Gjate kësaj periudhe janë ndaluar afro 50 kg ari.
Të gjitha rastet e konfiskimeve të sasive pa prejardhje të dëshmuar do të procedohen si vepra penale doganore dhe eventualisht si vepra penale në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizave.
Dogana e Kosovës planifikon që aktivitetet e kontrollit t'i zhvillojë edhe më tutje.
Â