Tiranë, 10 shtator, NOA - Deputetët socialistë Ben Blushi dhe Arben Malaj do të ndërmarrin nesër një takim me përfaqësues dhe simpatizantë të Partisë Socialiste për të lançuar para tyre idetë që kanë mbi reformimin e kësaj force politike.
Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, bëhet e ditur se ky takim do të zhvillohet ditën e nesërme në mjediset e Akademisë së Arteve në Tiranë, në orën 18.00, ku pritet të marrin pjesë të gjithë ata që së fundmi janë cilësuar si grupi i kundërshtarëve të kryetarit të Partisë Socialiste.
Gjatë këtij takimi, bëhet e ditur paraprakisht se Blushi dhe Malaj gjatë fjalës së tyre do të diskutojnë dhe do hedhin ide mbi bashkimin e së majtës dhe reformimin e Partisë Socialiste, gjëra këto që i shohin të lidhura me një jetë aktive parlamentare dhe jo bojkot të saj, siç ka hedhur idenë kohët e fundit kryesocialisti Edi Rama.
n.e/NOA