Tiranë, 10 shtator, NOA - Interpoli i Tiranës ka bërë të mundur ekstradimin e dy shqiptarëve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, është mundësuar ekstradimi nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Shqipërisë i 27-vjeçarit Joni Lamaj, lindur në Tepelenë.
Kjo pasi ndaj tij ekziston masa e sigurisë "arrest me burg", parashikuar nga neni 78, i Kodit Penal, bazuar në vrasjen e Jani Gjikurias, në Dhërmi 4 vite më parë.
Ndërkohë, nga Brukseli i Belgjikës, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi drejt Shqipërisë i Shaban Kokajt, 42-vjeç, lindur në Tropojë. Kjo pasi gjykata e ka dënuar atë me 18 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "Vrasjes për motive të dobëta", parashikuar nga neni 84/a i Kodit Penal.
Ai akuzohet për një vrasje që në vitin 1990, në qytetin e Bajram Currit, ku ka vrarë Selamet Ndreun me thikë dhe sopatë, pas një konflikti me të vëllain që në vitin 1984.
n.e/NOA