English

I njohur si super mashtruesi i bankave, lirohet nga burgu Klejdi Kote

Tiranë, 10 shtator NOA - Djaloshi tani 34 vjeçar, Klejdi Kote, i njohur si super mashtruesi që fitonte duke vjedhur me mjeshtëri bankat, ka fituar lirinë dhe sot ka dalë nga burgu.

Në orën 08.30 të mëngjesit të së Enjtes, Klejdi Kote doli nga burgu i Vaqarrit pranë kryeqytetit dhe iu drejtua banesës së tij.

Në të vërtetë, i riu që kur u arrestua ishte vetëm 26 vjeç, duhet të kryente 11 vjet burgim.

Por ai ka përfituar nga përllogaritja e paraburgimit me shtesë si dhe nga uljet e dënimit aplikuar ndaj tij, si nga amnistia që e preku, ashtu edhe për sjellje të mirë.

Klejdi Kote u arrestua në vitin 2000 kur edhe u dënua me 11 vjet heqje lirie për akuzën e vjedhjes.

Mashtruesi më i njohur në Shqipëri, në vitin 1998 arriti të vidhte 250 mijë USD apo 25 milionë lekë të rinj, nga një bankë private (ish-Banka e Kursimeve) në Tiranë thjeshtë dhe vetëm duke përdorur dokumente të falsifikuara.

Ndërkohë, vënia në pranga e Kotes u bë në mënyrë rastësore. Ai u kap duke ecur me biçikletë, në mes të Tiranës, ndërsa kalonte pranë Drejtorisë së Policisë edhe pse kërkohej prej kohësh për akuzën e ngritur.

Ngjarja

Ky ishte dhe krimi i parë elektronik në Shqipëri i cili mban emrin e Klejdi Kotes dhe është kryer duke zbatuar një skemë "profesionale" mashtrimi.

Sikundër atëherë raportohej në median e shkruar, Kote hyri në një nga filialet e bankës dhe paraqiti disa dokumente në të vërtetë të falsifikuara, që sipas tij, e provonin atë se ishte trashëgimtar i një pasurie të një biznesmeni nga Berati i cili sapo kishte vdekur.

I riu Kote shoqërohej edhe nga një femër e cila mbante një certifikatë vdekjeje në duar duke demonstruar sipas saj se ishte e veja e biznesmenit "të vdekur".

Kurse Kote, me aktin e trashëgimisë në dorë, i ka kërkuar arkëtares që t'i jepte shumën prej 25 milionë lekësh që "trashëgonte".

Punonjësit e bankës, kryen verifikimin dhe arritën në përfundimin se dokumentet ishin në rregull dhe lëshuan paratë.

Por vetëm pak muaj më vonë, biznesmeni "ringjallet" dhe kërkon paratë e tij, duke dalë kështu zbuluar super mashtrimin.

Policia atëherë hetoi si të implikuar në çështje, Klejdi Koten, një punonjës banke dhe katër falsifikatorë dokumentesh.

Më tej u mësua se Kote kishte piketuar biznesmenin beratas, kishte studiuar lëvizjet e tij e po ashtu kishte arritur të mësonte sa para kishte ai në bankë.

/e.r/b.a/NOA/

KOMENTE