Beograd, 10 shtator, NOA - Intervista / Sekretari i shtetit në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, thotë se Prishtina zyrtare nuk mund të ndalojë nënshkrimin e protokolleve me EULEX-in, por vetëm mund ta shtyjë atë. Ai tha se nënshkrimi i protokollit për bashkëpunim ndërpolicor pritet të bëhet gjatë muajit shtator, ndërkohë që pas tij do të fillojnë bisedimet me EULEX-in për dy protokolle të reja, atë doganave dhe të gjyqësisë.
Z.Ivanoviç, a besoni se çështja e protokollit për bashkëpunim ndërpolicor me EULEX-in do të zgjidhet së shpejti?
- Protokolli për policinë, gjyqësinë e doganat është i pashmangshëm sepse kjo është mënyra e vetme që me këto protokolle teknike, marrëveshje teknike të përcaktohet puna e EULEX-it në këto hapësira. Nuk duhet harruar se EULEX-i ka ardhur me kushtin që Serbia ta pranojë. Pa Serbinë, EULEX-i nuk do të mund të shtrihej në gjithë territorin e Kosovës që do të thoshte se EULEX-i nuk do të mund të ishte efikas. Prandaj është në interesin më të mirë jo vetëm të serbëve dhe Serbisë por edhe të shqiptarëve të Kosovës që ky protokoll të nënshkruhet dhe të rregullohen problemet dhe të mbikëqyren të gjitha aktivitetet kriminale pavarësisht se ku kryhen, në Kosovë apo përmes Kosovës kalojnë në vendet përreth. Kjo është shumë e sigurt dhe arsyet për refuzim qëndrojnë në çështjet e brendshme dhe fërkimet që kanë vetë shqiptarët e Kosovës. Mendoj se qeveria në Prishtinë është kapur në grepin që e ka vendosur opozita dhe në kohën e zgjehdjeve po ngrit çështjet rreth të cilave nuk ka asnjë ndikim.
Po por Prishtina po kërkon garanca dhe ka paralajmëruar se nuk do të lejojë nënshkrimin e protokolleve mes Serbisë dhe EULEX-it.
- Këtë qeveria e Kosovës nuk mund ta ndalojë. Para së gjithash sepse kjo nuk është në interes të tyre por edhe sikur të ishte ata nuk e kanë këtë mundësi. Protokolli është ndërmjet misionit teknik që është dërguar nga BE-ja dhe qeverisë së Serbisë. Kjo është diçka në të cilën insiston BE-ja dhe tani nuk po insiston aq shumë Serbia sa BE-ja e cila po lufton kundër krimit të organizuar dhe po frikësohet se ky krim I organizuar nga hapësirat e Ballkanit Perëndimor mund të bartet tek ata. Prandaj BE-ja po mundohet ta parandalojë këtë rrezik dhe ai është I madh. Prisni që brenda pak ditësh të nënshkruhet protokolli i parë?
- Mendoj se është mirë që të përmirësohet klima për nënshkrimin e protokollit sepse shqiptarët nuk mund ta ndalojnë atë por mund ta shtyjnë, duke krijuar një klimë jot ë shëndoshë, siç po mbretëron tani. Unë mendoj se deri në fund të këtij muaji ky protokoll të nënshkruhet sepse s'ka asnjë arsye të shtyhet më të tutje. Atë moment kur të nënshkruhet ky protokoll, fillojnë bisedimet për dy të tjerat. E them se misioni teknik siç është EULEX-i nuk mund të funksionojë nëse nuk i ka të rregulluara marrëdhëniet me Serbinë, para së gjithash me Serbinë. Dhe të shtoj se protokolle të ngjashme ose janë nënshkruar tanimë nga përfaqësuesit e EULEX-it me vendet e rajonit, siç janë Shqipëria dhe Maqedonia, ose mendojnë t'i nënshkruajnë. Për këto nuk po ngritet pluhur por kur bëhet fjalë për Serbinë, duket se shqiptarët e Kosovës po I politizojnë këto çështje.
Kur flasim për protokollin për bashkëpunim ndërpolicor, a do të thotë kjo se pranoni të vendoset një hapësirë e re kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
- Nuk duhet paragjykuar. Ajo që do të jetë marrëveshje mes Ministrisë së Financave dhe komponentës doganore në EULEX, do të jetë kjo pjesë e marrëveshjes. Kur kjo të nënshkruhet do të vlejë për të gjithë qytetarët e Serbisë dhe ata janë edhe njerëzit që jetojnë në Kosovë. Pra vlen për të gjithë.
E pranoni që protokolli të nënshkruhet edhe mes Serbisë dhe EULEX-it dhe Kosovës dhe EULEX-it?
- Po ju them se për këtë kam folur para tre muajve. Ndoshta kjo do të duhej të ishte zgjidhja, që EULEX-i të ketë dy protokolle bilaterale, por që EULEX-I nuk ka nevojë që të nënshkruajë protokoll me shqiptarët e Kosovës meqë kjo është në misionin e tij, në detyrën e tij. Sa I përket Serbisë, misioini thjeshtë duhet sepse Serbia nuk do që të zgjidh marrëdhëniet me misionin ndryshe përveç mbi bazën e një dokumenti të shkruar. Është çështje e EULEX-it sa protokolle të tjera do të nënshkruajë dhe me kë. Mendoj se Serbia në parim nuk ka asgjë kundër por po them se ajo që është thelbësore është se EULEX-I duhet të zgjidh veprimin e saj në këto hapësira dhe t'i harmonizojë me ata që kanë kushtet për ardhjen e tij, e kjo është që me Serbinë të bëjë një bashkëpunim teknik për të cilin Serbia është e interesuar shumë si edhe të tjerët në rajon.
BBC