English

Kalonin mallra kontrabandë me autobusët e një agjencie udhëtimi, pranga dy shoferëve

Tiranë, 10 shtator, NOA - Të punësuar si shoferë të autobusëve të linjës Tiranë-Athinë-Tiranë të Agjencisë së Udhëtimve "Euro Interlines" transportonin dhe mallra fshehurazi me autobus me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.

Pëllumb Shelqezi, 36-vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lundër dhe Romeo Astrit Karafili, 44- vjeç, lindur dhe banues në Tiranë që të dy punonjës si shoferë në agjencinë e udhëtimeve "Euro-Interlines" janë arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit policor "Udhëtari", të realizuar nga Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko Financiar dhe forcave policore të Tiranës.

Arrestimi i tyre erdhi në kohën kur dy shoferët në vendin e quajtur rruga "Jordan Misja", në një parkim autobusesh pranë "Nyjes së Betonit" po kalonin mallin nga autobusi për tek mjeti tip "Opel Vektra", me targa greke IHT 4344, i cili drejtohej nga Shkëlqim Sadiku, 36-vjeç lindur në Dibër dhe banues në Tirane, tregtar si subjekt "Shkëlqim Sadiku" që ishte dhe porositësi i mallit.

Sipas burimeve policore bëhet e ditur se për dy shoferët e agjencisë "Euro-Interlines" kishte informacione se sillnin nga Greqia nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Kakavi, mallra industriale, si pantallona xhinse, këmisha, jelek xhinsi, xhaketa të ndryshme, funde dhe bluza të llojeve të ndryshme, të cilat i kalonin të fshehura në autobus me qëllim shmangien nga detyrimet doganore.

Në momentin e kapjes në flagrancë të akuzuarit po shkarkonin mallrat, të cilat i kishin fshehur në një nga autobusat e linjës së udhëtarëve "Euro Interlines", me targa TR 7215 L Gjatë kontrollit të ushtruar edhe në ambientet e subjekteve tregtare "Kushtrim Abazi" dhe "Shkëlqim Sadiku" , që kishin porositur mallin, rezultoi se kishte mallra të pajustifikuara me faturë tatimore, mall i cili u konfiskua në cilësinë e provës materiale.

Policia sekuestroi 3800 pantallona xhinse të markave dhe modeleve luksoze, 450 bluza dhe këmisha të llojeve të ndryshme, 120 funde, 20 xhaketa, dhe 122 jelek xhinsi.

Gjithashtu bllokua autobusi i linjës "Euro Inetlines", me targa TR 7215 L dhe autovetura tip "Opel vektra", me targa IHT 4344.

Vlera e provave materiale të sekuestruara dhe konfiskura arrin vlerën 120 mijë euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale të "tregtimit dhe transportit të mallrave kontrabandë", "kontrabanda me mallra të tjera" dhe "zbatimi i ligjit ndaj personave juridik", gjithashtu ka filluar proçedimi në gjendje të lirë, për veprën penale të "tregtimit të mallrave kontrabandë", në ngarkim të shtetasit K. A.

f.sh/NOA

KOMENTE