English

Medvedev "kërcen" mbi Putin, kërkon ndryshimin në Rusi*

Komentet e Medvedevit përbëjnë sinjalet më të fundit të përpjekjeve të tij për t'u veçuar nga ish-shefi karizmatik dhe popullor i Kremlinit, Vladimir Putin, i cili tani mban postin e kryeministrit

Nga Reuters, Moskë, 11 Shtator

Presidenti i Rusisë Dimitri Medvedev i cilësoi sot si të dobëta dhe jo efikase demokracinë dhe ekonominë e Rusisë, në një nga përpjekjet e tij më të fundit për t'u distancuar nga trashëgimia e paraardhësit të tij Vladimir Putin.

Në një artikull të publikuar në portalin e internetit "Gazeta.ru", duke përshkruar vizionin e tij për të ardhmen e Rusisë në dekadën e ardhshme, Medvedev konsideron si sfida kryesore modernizimin e ekonomisë, luftën kundër korrupsionit dhe ndalimin e mbështetjes shtetërore.

"Një ekonomi jo efikase, sfera shoqërore gjysmësovjetike, demokracia e dobët, trendi negativ demografik dhe një Kaukaz i paqëndrueshëm. Këto janë janë probleme të mëdha, madje edhe për një shtet si Rusia", deklaroi shefi i Kremlinit.

Një demokraci e qëndrueshme do t'i siguronte Rusisë fleksibilitetin politik dhe ekonomik, theksoi ai.

"Sistemi politik rus do të jetë i hapur, fleksibël dhe kompleks", tha ai. "Sikurse në shumicën e kombeve demokratike, në ballë të luftës politike do të jenë partitë parlamentare, që në mënyrë periodike zëvendësojnë njëra-tjetrën në pushtet", shtoi ai.

Komentet e Medvedevit përbëjnë sinjalet më të fundit të përpjekjeve të tij për t'u veçuar nga ish-shefi karizmatik dhe popullor i Kremlinit, Vladimir Putin, i cili tani mban postin e kryeministrit.

Ai ka dhënë një seri intervistash për median ruse, përfshi edhe gazetën opozitare "Novaya Gazeta", ku Medvedev ka shpalosur opinionin e tij lidhur me çështje thelbësore mbi shoqërinë civile, politikën, ekonominë, arsimin etj.

Medvedev, i cili të hënën e ardhshme mbush 44-vjeç, fitoi zgjedhjet dhe mori drejtimin e Kremlinit vitin e kaluar, pasi ishte përzgjedhur nga vetë Putini.

Të dy liderët janë zotuar për të bashkëqeverisur dhe deri tani nuk ka patur asnjë sinjal përçarjeje, pavarësisht provave të rënda të kësaj periudhe të karakterizuar nga kriza ekonomike që goditi Rusinë vitin e kaluar.

Megjithatë, sipas sondazheve publike, një vit më pas, Putini vazhdon të jetë më popullor dhe me ndikim shumë më të madh në vend, kryesisht për shkak zhvillimit të shpejtë ekonomik të Rusisë gjatë presidencës së tij tetëvjeçare, që shënoi rritjen e standarteve të jetesës për rusët dhe fundin e paqëndrueshmërisë pas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik.

Kritikët e kritikojnë Putinin se ekonomia po bëhet gjithnjë e më paqëndrueshme, për shkak të vëmendjes shumë të madhe në eksportet e naftës dhe gazit, sistemi politik po destabilizohet duke u larguar gjithnjë e më tepër nga demokracia dhe duke inkurajuar mbështetjen shtetërore, ku shteti vendos se çfarë është më e mira për qytetarët e vendit.

Analistët shprehen se Medvedev shpreson të fitojë mbështetjen e atyre që janë armiqësuar me Putinin, si dhe të atyre shtresave që nuk kanë përfituar nga bumi ekonomik i vendit.

Liritë nuk do të kufizohen

Medvedev është angazhuar se do të diversifikojë ekonominë dhe ka bërë thirrje për një garë të shtuar politike, një kontrast i hapur me presidencën e mëparshme të Putinit ku i gjithë pushteti ishte përqendruar në duart e Kremlinit dhe opozita publike pothuajse nuk ekzistonte.

Medvedev premtoi se nuk do të modernizonte Rusinë duke kufizuar liritë politike dhe sociale, duke ilustruar me këtë shembujt negativë të Carit Pjetri i Madh dhe diktatorit sovjetik Josef Stalin.

"Rezultatet impresionuese të dy modernizimeve më të mëdha në historinë e vendit tonë, perandoria dhe Bashkimi Sovjetik, u paguan me shkatërrim, poshtërim dhe shfarosjen e miliona bashkëkombësve tanë", tha Medvedev.

"Për herë të parë në histori, kemi shansin t'i provojmë vetes dhe të gjithë botës se Rusia mund të zhvillohet në rrugën e demokracisë", shtoi ai.

"Disa mund të përpiqen të pengojnë punën tonë", theksoi Medvedev, duke iu adresuar "grupeve me influencë të zyrtarëve dhe biznesmenëve të korruptuar... Por ne do të veprojmë... ne do të krijojmë Rusinë e re", deklaroi ai.

Mandati i Medvedevit përfundon në vitin 2012, kur ai dhe Putini do të jenë në gjendje të garojnë për një mandat më të gjatë gjashtëvjeçar.

(*) Titulli i origjinalit: Rusi, Medvedev kritikon demokracinë dhe ekonominë e dobët të vendit, premton ndryshimin

KOMENTE