Tiranë, 11 shtator NOA - Kryeministri, Sali Berisha ka marrë sot një telegram urimi nga homologu i tij Kosovar me rastin e rizgjedhjes në krye të qeverisë së re që do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme.
"Me rastin e rizgjedhjes suaj në postin e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe formimit të kabinetit të ri qeveritar, ju përcjell përgëzimet më të sinqerta në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim. Republika e Shqipërisë ka arritur suksese të rëndësishme në rrugën e saj drejt përmbushjes së kritereve dhe parimeve demokratike. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë", thuhej në telegramin që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar kryeministrit Berisha. "Me urimet më të mira që Republika e Shqipërisë të vazhdojë të ecë me hapa të sigurt drejt perspektivës së integrimit në Bashkimin Evropian, jemi të bindur që në këtë rrugë do të punojmë me synime të përbashkëta për thellimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të të dyja vendeve tona dhe gjithë rajonit", mbyll urimin e tij Thaçi.
k.k/NOA