Berlin 11 Shtator NOA - Qyteti i Berlinit në Përvjetorin e XX të Rënies së Murit të Berlinit fitoi Çmimin Princi i Asturias për Harmoninë 2009, siç u bë publike sot në Oviedo nga Juria e ngarkuar për të dhënë këtë Çmim.
Muri i Berlinit simbol i Bashkimit Evropian, për shumë dekada u bë përfaqësimi botëror i Luftës së Ftohtë.Revolucioni paqësor që shpuri rënien e Murit të Berlinit në 9 Nëntor 1989 dhe më vonë në Bashkimin e Gjermanisë ka tërhequr qysh atëherë miliona njerëz në të gjithë botën duke kontribuar në një masë të madhe në ristabilizimin e ekuilibrit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes.
Juria e Oviedos vendosi t´i japë Çmimin Princi i Asturias për Harmoninë Qytetit të Berlinit, në Përvjetorin e XX të Rënies së Murit të Berlinit," duke simbolizuar në të, si ata të cilët me humbjen e jetës apo të lirisë së tyre, luftuan drejtpërsëdrejti për ta kapërcyer, ashtu edhe ata miliona qytetarë që pas rënies së tij, ishin në gjendje të ndërtonin mbi plagët e ndarjes një shoqëri të hapur, mikpritëse dhe kreative, një bërthamë harmonie në zemër të Gjermanisë dhe Europës që jep kontributin e vet në mirëkuptimin, bashkëjetesën, drejtësinë, paqen dhe lirinë në botë".
Në këtë edicion të Çmimit Princi i Asturias për Harmoninë u paraqitën 44 kandidatura nga Gjermania, Argjentina, Bosnja, Brazili, Kanadaja, Kuba, Kroacia, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, SHBA, Etiopia, Franca, India, Italia, Irani, Liberia, Nigeria, Palestina, Peru, Tibet, Turqi, Venezuelë, Zimbabve dhe Spanja.
Ndërmjet fituesve të viteve të kaluar të këtij çmimi mund të veçojmë Ingrid Betancourt, Joanne Kathleen Rowling, Mbreti Hysein I Jordanisë, UNICEF, Karitasi spanjoll, WWF, Organizata Mjekët pa Kufi, etj
Ky Çmim ishte i fundit nga tetë Çmimet Princi i Asturias që jepen këtë vit, dhe që përkojnë me edicionin e njëzet e nëntë të tij.
Më përpara i është dhënë Çmimi Princi i Asturias për Artet arkitektit britanik, Norman Foster, ai i Koperacionit Ndërkombëtar Organizatës Botërore të Shëndetit, Çmimi Princi Asturias për Shkencat Sociale, natyralistit britanik, David Attenborough, ai i Komunikimit dhe Shkencave Humane Universitetit Kombëtar Autonom të Meksikës, Çmimi Princi i Asturias për Kërkimin Shkencor dhe Teknik inxhinierëve amerikane Martin Cooper dhe Raimond S. Tomlinson, Çmimi Princi i Asturias për Letërsinë i shkoi shkrimtarit shqiptar Ismail kadare dhe Çmimi për Sportet atletes ruse, Yelena Isinbayeva.
Secili prej Çmimeve, ka një vlerë monetare prej 50 mijë euro si dhe përfshin një statujë të krijuar posaçërisht nga skulptori i famshëm Joan Miro, një diplomë dhe simbolet akredituese.
Ceremonia e ndarjes së të gjitha çmimeve do mbahet në 23 tetor në Oviedo, në një akt solemn të kryesuar nga Princi i Asturias.
Në këtë ceremoni Princi Felipe i Asturias do të mbajë fjalimin përshëndetës ndërsa në emër të fituesve të tetë çmimeve të këtij viti është përzgjedhur për të mbajtur fjalimin e rastit, fituesi i Çmimit Princi i Asturias për Letërsinë, Ismail Kadare.
e.r/NOA