English

Droga e bllokuar në Itali, reagon Policia e Shtetit: Nuk është trafikuar nga Shqipëria

Tiranë, 11 shtator NOA - Policia e Shtetit ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku ka dhënë detaje për arrestimin e dy shqiptarëve për drogë nga policia italiane në Leçe, ndërsa ka mohuar faktin se droga është trafikuar nga Shqipëria.

"Nga punonjësit e Guardia di Financa Leçe në lokalitetin Torre dellOrso, Melendugno, 20 km larg Leçes, në kuadër të aktiviteteve represive në fushën e lëndëve narkotike, është sekuestruar rreth 145 kilogram mariuanë.

Kjo sasi e lëndës narkotike është gjetur e fshehur në një pyll me pisha.

Gjatë operacionit janë arrestuar dhe dy shtetas shqiptarë, përkatësisht, Fiodor Mezuraj, 30- vjeç, nga Vlora dhe Arjon Zholi, 23- vjeç, nga Tepelena të cilët akuzohen për mbajtje dhe trafik lëndësh narkotike" bëri të ditur sot Policia e Shtetit.

"As gjatë komunikimit zyrtar me autoritet policore të "Guardia di Finazia, Leçe" dhe as në "njoftimin për shtyp të bërë publik prej tyre nuk është konfirmuar fakti që sasia e lëndës narkotike të jetë trafikuar me gomone nga Shqipëria. Gjithashtu, autoritetet italiane nuk kanë sekuestruar ndonjë mjet lundrimi që mund të kishte shërbyer për trafikimin e lëndës narkotike të sekuestruar" shtoi më tej dikasteri blu.

Policia e Shtetit ka deklaruar sot edhe për ngjarjen e datës 21 gusht të këtij viti, ku janë kapur rreth 250 kilogram lëndë narkotike e llojit mariuanë, nga autoritet italiane është konfirmuar zyrtarisht se gomonia e kapur në brigjet italiane është nisur në të njëjtën ditë nga Italia me destinacion bregun shqiptar ku ka marrë sasinë e lëndës narkotike dhe është kapur në kthim për në Itali.

Në të dy rastet, nga Policia Shqiptare kanë filluar verifikimet dhe po bashkëpunohet me autoritetet italiane për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve.

k.k/NOA

KOMENTE