Beograd, 11 shtator NOA-Megjithë kundërshtimin e fortë të institucioneve të Kosovës, EULEX-i ka nënshkruar sot protokollin për bashkëpunim policor me Ministrinë e Jashtme të Serbisë.
Për EULEX-in, nënshkrimin e ka vënë shefi i komponentës për polici të EULEX-it, Rainer Kuehn..
Nënshkrimin e marrëveshjes që e mban emrin "Protokoll për bashkëpunim policor" e konfirmoi për Express, Christophe Lamfalussy, shef i Zyrës për Informim në EULEX.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) i ka njoftuar institucionet e Kosovës lidhur me marrëveshjen e sotme, e cila më herët gjatë ditës ishte nënshkruar edhe nga pala serbe.
Nënshkrimi erdhi pikërisht ditën kur 22 organizata joqeveritare kosovare, paralajmëruan një protestë masovike për të mërkurën e ardhshme, për t'i thënë jo nënshkrimit të këtij protokolli dhe protokolleve të tjera që EULEX ka paralajmëruar t'i nënshkruajë me Serbinë.
Mijëra qytetarë pritet të vërshojnë rrugët e Prishtinës për të kundërshtuar këtë protokoll për bashkëpunim policor ndërmjet Serbisë dhe EULEX-it.
Protesta organizohet prej rreth 20 organizatave joqeveritare, të cilat së bashku u bëjnë thirrje qytetarëve që të mërkurën, më 16 shtator, të dalin sa më shumë në numër, për t'i thënë jo nënshkrimit të këtij protokolli dh protokolleve të tjera që EULEX ka paralajmëruar t'i nënshkruajë me Serbinë.