English

Malaj takim me mbështetësit e tij: PS t'i thotë jo bojkotit e të kthehet në Kuvend

Tiranë, 11 shtator NOA - Zëri brenda PS, i cili ka deklaruar se është kundër vendimit të kryetarit në detyrë Edi Rama, për të bojkotuar punimet e kuvendit të ri të Shqipërisë, Arben Malaj, ka zhvilluar sot pasdite një takim me mbështetësit e tij, anëtarë të PS.

Në fjalën e mbajtur gjatë takimit, Malaj ka shpjeguar arsyet pse kjo s'duhet të ndodhë dhe nevojën që ka Partia Socialiste për t'u modernizuar, jo si qëllim në vetvete, por si detyrim për të modernizuar vendin.

Në fjalën e tij Malaj ka theksuar se bojkotimi i parlamentit është një vendim i gabuar. "Ne duhet të gjejmë kurajën ta ndërpresim bojkotin sa më parë.

Për ne, Partia Socialiste nuk mund ta plotësojë misionin e saj si opozitë dhe nuk mund ti arrijë objektivat e saj politike jashtë institucioneve", theksoi Malaj.

Duke fajësuar kryetarin Rama, deputeti Arben Malaj tha se ky model drejtimi dhe këto zhvillime në PS, aq më shumë tendenca radikalizuese vështirësojnë fitoret politike.

"Të mendosh se një ditë kjo maxhorancë do të lodhet nga pesha e pushtetit dhe atëherë ne do të vijmë në pushtet, është të presësh dhe jo të luftosh për fitoret elektorale", u shpreh Malaj.

b.a/NOA

KOMENTE