Prishtinë, 11 shtator NOA-Lëvizja e Albin Kurtit, "Vetvendosja" i ka bërë thirrje gjithë organizatave shoqërore që punojnë në Kosovë të protestojnë kundër marrëveshjes së ELEX me Serbinë.
Debati më i fundit mediatik në Kosovë duket se nuk do të kalojë në heshtje për aktivistët e "Vetvendosjes" të cilët pas sulmit që i bënë misionit EULEX janë sërish gati të përballen, sipas tyre, në emër të pavarësisë e sigurisë së shtetit më të ri në botë.
Në thirrjen e saj, "Vetvendosja" thekson se tri janë arsyet që në datën 16 shtator ora 12 të shpërthejnë demonstratat, së pari, kundër Protokolleve të bashkëpunimit mes EULEX-it dhe Serbisë, së dyti kundër hipokrizisë së krerëve institucional të Kosovës karshi këtyre protokolleve dhe së treti për një një Kosovë sovrane.
Lexoni më poshtë deklaratën e sotme të kësaj lëvizje drejtuar mbarë OJF e qytetarëve kosovarë:
Kundër Protokolleve të bashkëpunimit mes EULEX-it dhe Serbisë
EULEX-i ka vendosur: mosnjohja e sovranitetit të Kosovës duhet të përkthehet në njohje të sovranitetit të Serbisë përmbi Kosovë. Protokollet e bashkëpunimit të cilat EULEX-i po bëhet gati t'i nënshkruajë me Serbinë paraqesin zbatim të Planit 6 Pikësh, dhe i referohen atij. 6 Pikat e thellojnë dhe forcojnë politikisht dhe realisht Serbinë përbrenda Kosovës, dhe në shtyllat kryesore të sovranitetit të vendit, në polici, dogana e kontroll të kufijve dhe gjyqësi. Protokollet dhe EULEX-i bazohen në Rezolutën 1244. Serbia në raport me Kosovën ka të kaluar, të tashme dhe të ardhme kriminale. Vetëm në luftën e fundit, forcat policore dhe ushtarake të Serbisë kanë vrarë 14 mijë shqiptarë, kanë dhunuar mijëra femra, i kanë deportuar afërsisht 1 milionë shqiptarë dhe i kanë shkatërruar, djegur a rrënuar 120 mijë shtëpi. Serbia aktualisht i financon dhe i mbanë politikisht strukturat e saj paralele në Kosovë, të cilat përveç mohimit dhe minimit të sovranitetit të Kosovës, janë drejtpërdrejtë të përfshira edhe në krime kundër shqiptarëve, si vrasja e 11 shqiptarëve në natën mes 3 dhe 4 shkurti të vitit 2000, pastaj dëbimi i 1.564 familjeve me 11.364 anëtarë nga pjesa e Mitrovicës përmbi lumin Ibër, pengimi me armë zjarri dhe granata dore i rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në veri, djegia e pikave doganore dhe plaçkitja e të hyrave shtetërore të Kosovës përmes kontrabandës, etj. Shteti serb synon ta kthejë Kosovën nën Serbi, duke mohuar kështu tërësisht vullnetin dhe interesat e qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
Kundër hipokrizisë së krerëve institucional të Kosovës karshi këtyre protokolleve
Krerët institucional të Kosovës e shpallën të vdekur Protokollin e EULEX-in me Serbinë, madje ende pa u ngjizur ai. Po këta krerë të po këtyre institucioneve e patën shpallur Planin 6 Pikësh të OKB-së si plan i vdekur. Protokollet e gatshme për nënshkrim i treguan 6 Pikat të gjalla duke e shpërfaqur kështu edhe njëherë mungesën e sinqeritetit dhe punës së sinqertë të këtyre krerëve institucionalë. Krerët institucional nuk e ndalin dot nënshkrimin e protokolleve. Protokollet janë duke u negociuar mes Serbisë dhe EULEX-it tash e 7 muaj. Asnjëherë deri tash nuk kanë tentuar ta ndalin atë. Asnjë veprim nuk është parë nga ta në kundërshtim të këtyre protokolleve. Vetëm fjalë. Hashim Thaçi e Fatmir Sejdiu po i thonë jo protokollit deri sa ta gjejnë mënyrën se si t'ia shesin atë qytetarëve të vendit.
Â
Për një Kosovë sovrane
Qytetarët e vendit janë ata të cilët nuk do t'i blejnë kurrë protokollet e as 6 Pikat. Më 19 nëntor dhe 2 dhjetor të vitit 2008 kundërshtuam bashkë kundër planit 6 Pikësh dhe kundër EULEX-it. Qytetarët e Kosovës njëzëri i thanë JO cenimit të sovranitetit shtetëror të Kosovës. Kjo JO EULEX-it nuk ishte JO ndaj Bashkimit Evropian. Kjo JO cenimit është PO sovranitetit. Dhe është një PO për progres. Sepse vetëm si shtet me sovranitet të plotë mund të përparojmë e zhvillohemi. Këto nuk janë JO e PO të momentit dhe e as JO dhe PO për konsum të brendshëm. Por janë JO dhe PO të qëndrueshme, të sinqerta dhe të vendosura. Dhe këtë duhet ta dëshmojmë prapë, jo vetëm sot por sa herë që kërkohet. Atë e dëshmojmë në rrugë dhe përmes rrugës. Të gjithë së bashku t'i themi JO cenimit të sovranitetit. Të gjithë së bashku për sovranitet.
Bashkorganizatorët:
Â
Grupi i ekspertëve të KEK-ut
ÇOHU
FOL'08
KDI
Syri i Vizionit
IQLL
BSPK
RrRK
RrGGK
IKS
VETËVENDOSJE!
IPOL
OJQ "Studentët dhe të rinjtë e Kosovës"
Forumi i OJQ-ve në Gjakovë
PIPS
28 Nëntori - Viti
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve
Shoqata e të burgosurve politik-Dega Besianë
Sindikata e Pensionistëve të Kosovës
YIHR
OJQ Etika - Ferizaj
OJQ IRP - Ferizaj