English

Ndikimet e 11 shtatorit 2001 në politikën evropiane të sigurisë

Nju Jork, 11 shtator NOA-Sulmet terroriste të 11 shtatorit kundër kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe kundër Pentagonit në kryeqytetin e SHBA-së, Uashington, e ndryshuan nga themelet botën brenda disa orësh.

Vdekja, shkatërrimi dhe terrori, tronditën botën perëndimore në një prej qendrave të saj kryesore.

Që atëherë politikanët përpiqen të parandalojnë sulme të tilla. Për këtë arsye ata ndër të tjera kanë ashpërsuar mbikqyrjen e popullsisë dhe kanë zgjeruar mbledhjen e të dhënave private. Â

Me pilotët përgjegjës për atentatet e 11 shtatorit, të cilët jetonin edhe në Hamburg, gjurmët arrinin direkt në Evropë. Me aktet terroriste të Madridit në vitin 2004 dhe në Londër një vit më vonë, Evropa u bë vetë skenë e terrorizmit islamik.

Në vitin 2004 Joschka Fischer, atëherë Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, tha se edhe Evropa është e cenueshme.

"Ne duhet të bëjmë gjithçka për të vepruar në mënyrë sa më parandaluese dhe përtej kufijve. Nuk duhet të lejojmë që të na gjunjëzojë terrorizmi."

Siguria e brendshme në BE është në radhë të parë çështje e secilit shtet dhe kjo u kthye në një problem, përballë terrorizmit me karakter ndërkombëtar.

Si rrjedhojë qeveritë emëruan në vitin 2004 një koordinator për masat anti-terror, holandezin Gijs de Vries. Ja si i përshkroi ai atëherë detyrat e tij:

"Këmbimi i informacionit është shumë i rëndësishëm.

Forcat policore të vendeve anëtare mund të këmbejnë të dhëna përmes Evropolit, prokurorët tanë përmes bashkëpunimit në fushën e drejtësisë në BE.

Ne miratojmë ligje kundër financimit të terrorizmit.

Terroristëve u nevojiten para, ne duhet të marrim masa që ata të mos i marrin këto para. Edhe për këtë është i nevojshëm bashkëpunimi ndërkombëtar."

Me kontrollet e sigurisë të ashpërsuara dukshëm në aeroporte, pjesa më e madhe e evropianëve ishin dakord. Por kur SHBA-ja kërkoi që autoritetet amerikane të kishin qasje në të dhënat evropiane të transportit ajror civil, pati qëndresë.

Ish-komisioneri i BE-së për drejtësinë, Franco Frattini, donte ta kufizonte këtë qasje:

"Ne pranojmë që të dhënat t'u përcillen autoriteteve të tjera, me kusht që ato të kenë standarde të krahasueshme për ruajtjen e këtyre të dhënave."

Çdo klient banke, çdo përdorues i telefonave mobilë dhe internetit, duhet të llogarisë me marrjen dhe ruajtjen e të dhënave të tij nga autoritetet, si pasojë e ligjeve të ashpërsuara të sigurisë.

Aktivistët për të drejtat e njeriut kritikuan në veçanti hartimin e një liste me të dyshuar për terrorizëm nga shërbimet sekrete evropiane.

Kjo, pasi nuk dihej se mbi çfarë të dhënash mblidheshin sinjalet, as se kush ishte në listë, dhe as se si mund të mbrohej individi. Dick Marty, hetues për llogari të Këshillit të Evropës, sqaronte:

"Në thelb nuk ekziston ndonjë mënyrë për të evituar futjen në listë. Individi nuk ka dijeni për akuzën që ngrihet kundër tij dhe praktikisht nuk ka asnjë mundësi, që të arrijë heqjen nga lista."

Mbi bazën e hetimeve të tij, Dick Marty pa të vërtetuar ekzistencën e burgjeve sekrete të CIA-s në shumë shtete evropiane. Por SHBA-ja nuk dha asnjëherë të dhëna të konkrete, se ku ishin saktësisht këto burgje.

Nuk mund të flasësh për pasojat juridike të 11 shtatorit 2001 pa përmendur Guantanamon.

Pasi në kampin e të burgosurve për terrorizëm, në bazën e SHBA-së në Guantanamo, ekstremet arritën kulmin.

Ekstreme ishte mënyra si trajtonte qeveria amerikane të burgosurit.

Po aq ekstreme edhe indinjata e kritikëve ndaj sjelljes së amerikanëve.

Fillimisht kjo kritikë drejtohej kundër SHBA-së nën drejtimin e Presidentit Bush.

Shumë kritikë e drejtojnë tashmë atë edhe ndaj Evropës, pasi në emër të sigurisë po tkurren të drejta, që duhej të ishin tipar dallues i saj.

KOMENTE