Â
Prishtinë, 11 shtator NOA-Pas njoftimit se është nënshkruar Protokolli EULEX - Ministri e Brendshme e Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë dalë së bashku në një deklaratë ku sqarojnë qytetarët se Prishtina nuk është palë në këtë marrëveshje.
"Republika e Kosovës nuk është palë në angazhimet teknike midis EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë", thuhet në deklaratën e sotme për shtyp.
Drejtuesit kosovarë thonë se angazhime të tilla nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim në pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Ftesa e Republikës së Kosovës për vendosjen e Misionit evropian për rend dhe ligj, EULEX në Kosovë, për të ndihmuar institucionet e Republikës së Kosovës në fushat e rendit dhe ligjit është akt sovran i udhëheqjes së Republikës së pavarur të Kosovës, theksojnë krerët e institucioneve të vendit.