Lubjanë, 11 shtator, NOA - Diplomatët kroatë dhe ata sllovenë takohen sot së bashku në një takim dypalësh në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çështjen e kufirit.
Për më tëper se dy dekada konflikti rreth kufirit kroato-slloven ka qenë pengesë e madhe në rrugën e Zagrebit drejt Bashkimit Evropian dhe pikërisht është ky i fundit më i interesuari për zgjidhjen e çështjes.
Të mos harrojmë se Sllovenia bllokoi bisedimet për hyrjen e Kroacisë në Bashkimin Evropian, në dhjetorin e shkuar për shkak të mosmarrëveshjeve që lidheshin me vijën kufitare, prandaj Kroacia kërkon ta zgjidhë njëherë e mirë këtë problem.
Për këtë arsye, kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor dhe homologu i saj slloven, Borut Pahor, do të bisedojnë sot në Lubjanë mbi zgjidhjen e problemit kufitar mes dy vendeve. Nga ana e tyre, mediat kroate kanë njoftuar jozyrtarisht se kontesti mes Kroacisë dhe Sllovenisë mbi kufirin është zgjidhur dhe se Lubjana brenda ditëve do të zhbllokojë bisedimet për anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian.
Edhe vetë Komisioneri Evropian për Zgjerimin Olli Rehn, është paraqitur optimist mbi çështjen në fjalë, duke thënë se brenda kësaj vjeshte të dyja palët do të arrijnë një marrëveshje për sheshimin e konfliktit për kufirin.
n.e/NOA