English

Shtohet lista e gjobave, 1500 shoferë shkelën kodin rrugor vetëm ditën e djeshme

Tiranë, 11 shtator NOA - Aksionet e policisë për të ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor duket se nuk kanë ndërgjegjësuar ende shoferët megjithëse aksioni është në ditën e katër të tij.

Madje ditën e djeshme kur policia ishte e vendosur në çdo cep të rrugëve në Tiranë ka gjobitur jo pak por 1510 shoferë të cilët kanë shkelur kodin rrugor.

"Shërbimet e Policisë së Tiranës nën drejtimin e drejtuesve të Policisë së Tiranës, po vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen për parkimet e gabuara, kryesisht parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës" deklaroi për të katërtën ditë radhazi policia e Tiranës.

Por pavarësisht deklaratave të policisë së kryeqytetit, vjelja e gjobave jo vetëm që nuk është ulur por është rritur ndjeshëm.

Kështu nga 900 gjoba që u volën dy ditë më parë ditën e djeshme janë vjelë më shumë se 1500 gjoba.

Sipas policisë janë bllokuar 446 mjete, janë vendosur 605 gjoba qyteti me vlerë 800 000 lekë, 300 gjoba linja me vlere 186 920 leke.

"Policia e Tiranës, sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor" përfundoi sot deklaratën e saj Policia e Tiranës.

k.k/NOA

KOMENTE