English

Zjarr i fuqishëm pranë pishave në Laç, rrezikohet kisha e Shënandout

Laç, 11 shtator NOA - Një tjetër zjarr përfshiu rajonin e Lezhës ditën e sotme, duke rrezikuar edhe kishën e Shënandout, informon korrespondenti i agjencisë së Lajmeve NOA që i referohet burimeve në terren.

Ngjarja ka ndodhur në pjesën e sipërme të qytetit të Laçit, tek pishat që ndodhen jo larg kishës së Shënandout.

Zjarri ka nisur në orët e mesditës dhe për shuarjen e tij, fillimisht janë afruar banorët e zonës, në përpjekje për të mbajtur flakët nën kontroll.

Pak minuta më vonë, disa makina të repartit për Mbrojtjen kundër Zjarrit shkuan në vendngjarje.

Ata raportojnë se rreth orës 16.30 është arritur të vihen flakët nën kontroll duke u lokalizuar dhe më tej shuar plotësisht, pa arritur të afrohen te kisha ku kryhet shpesh "pelegrinazh" nga shumë shqiptarë.

Ndërkohë, një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka shpërthyer në afërsi të qytetit të Mirditës në qarkun Lezhë.

Flakët janë pikasur në një zonë të pyllëzuar pranë fshatit Kaçinar të rrethit Mirditë, në orën 16.30 të ditës së sotme.

Mësohet se katër shtëpi të cilat janë gjysmë të rrënuara dhe pa banorë brenda, janë përfshirë nga flakët duke pësuar dëmtime të pjesshme.

Në vendngjarje kanë shkuar forca zjarrfikëse dhe policore, por ende nuk ka raportim për shuarjen e plotë të zjarrit.

e.r/NOA

KOMENTE