English

A duhet t'ia shesim shpirtin Evropës?

Erërat e reja pas Luftës së Dytë Botërore sollën mundësi të reja për bashkimin e Evropës. Ideatorët e projektit Evropa e bashkuar nuk thirrnin në "vlera të harxhuara" dhe vlera që kishin lënë ankthe dhe gjurmë të tmerrshme në memoriet e njerëzve. Ata kërkonin t'i bashkojnë evropianët në diçka që vërtetë të gjithë e kanë të përbashkët dhe parësore

Nga Milazim Mustafa

(Reagim ndaj shkrimit "Europa si shpirt dhe rragatjet tona" të autorit Ndue Uka publikuar nga agjencia NOA)

Evropa së bashku me Amerikën, janë bartësit kryesorë të civilizimit dominant në botë. Historia e saj është e stërmbushur më ndodhi dhe akte që kur t'i kujtosh të sjellin neveri të papara. Konfliktet dhe luftërat e shumta midis vet popujve evropian, kanë qenë shkaktarët kryesorë që kanë penguar bashkimin e këtij kontinenti në një tërësi të përbashkët ekonomike, politike dhe kulturore. Përkundër tentativave të përhershme për bashkim të kontinentit, bagazhi historik që bartte në vetë kjo thirrje për bashkim, përkujtonte historitë e hidhura, si inkuizicioni, rekonkuista e kështu me radhë, që në vete ishin dështim qysh prej fillimit. Përkundër kësaj, Evropa formën e vet, ku bazohet edhe "civilizimi" i sotëm evropian, e mori me humanizmin dhe renesancën, vlera këto që u shpërndanë anë e kënd botës.

Erërat e reja pas Luftës së Dytë Botërore sollën mundësi të reja për bashkimin e Evropës. Ideatorët e projektit Evropa e bashkuar nuk thirrnin në "vlera të harxhuara" dhe vlera që kishin lënë ankthe dhe gjurmë të tmerrshme në memoriet e njerëzve. Ata kërkonin t'i bashkojnë evropianët në diçka që vërtetë të gjithë e kanë të përbashkët dhe parësore.

Edhe pse lidhje e brishtë në mes të shteteve të Evropës perëndimore, BE-ja si bashkësi ekonomike funksionoi dhe akoma funksionon mirë. Formimi i tregut të përbashkët evropian si dhe valuta e përbashkët është një e arritur e madhe. Por, projekti BE nuk përfundon vetëm me formimin e klubit ekonomik. Marrëveshje a Mastrihtit 1992 vendosi baza deri diku të sigurta për bashkimin politik të popujve dhe shteteve të Evropës.

Iniciativa fillestare e BE-së së sotme filloi me gjashtë shtete që nënshkruan Marrëveshjen për thëngjill dhe çelik. Sot BE, 52 vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, BE-ja numëron 25 shtete anëtare dhe disa shtete tjera në proces anëtarësimi. Procesi i integrimit si ai brenda BE-së po gjithashtu edhe me vendet aspirante për anëtarësim të plotë akoma vazhdon. Disa nga vendet që fituan anëtarësinë e plotë si vende anëtare të BE-së, vërtetë treguan një vendosmëri të madhe dhe punë të palodhshme gjatë ndjekjes së këshillave (dhe imponimeve) nga Brukseli, kryesisht në reformat politike dhe ekonomike. Në këtë fazë sot gjinden edhe vendet e Ballkanit, të cilët kanë mbetur jashtë kufijve politik të Evropës. Përkundër një tranzicioni të dhimbshëm, që përjetuan këto vende, duke u nisur nga Shqipëria, Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit, realisht, është për t'u përshëndetur puna e tyre në sferën e integrimeve.

Çdo krijesë që të mbijetojë duhet të ketë shpirt. Pa shpirt çdo gjë është e vdekur. Evropa pas aleancës ekonomike dhe politike nëpërmjet shumë projekteve kërkon ta gjej shpirtin e vet që kurrë se ka pasur. Eliminimi i dallimeve kulturore që mbizotërojnë në mendjet e evropianëve, gjetja e elementeve të përbashkëta për gjithë popujt e Evropës, promovimi dhe ngritja e tyre në nivel të vlerave, kërkon kohë dhe vërtetë një strategji dhe punë mjaftë të mençur.

Sa i përket problematikës së integrimeve, besoj se mjaft është shkruar dhe folur, si dhe gjithnjë e më shumë shkruhet e flitet, mirëpo sa i përket studimeve në këtë lëmi, gati se asgjë nuk është ndërmarrë. Si çdo herë tjetër edhe kësaj radhe, kemi prej atyre që në këtë kohë të kërkesës së madhe dhe interesimit të madh, dëshirojnë të gjejnë treg për "petullat e veta". Duke e shfrytëzuar "deficitin demokratik" të popullatës tonë në lidhje me BE-në, lançojnë tema dhe ide të dëmshme duke kërkuar që të tjetërsohemi për të na u mundësuar anëtarësimi në BE, apo për të arritur ndonjë beneficion tjetër që ofron BE-ja (rast konkret, liberalizimi i vizave). Kinse si rezultat i përkatësisë sonë kombëtare apo fetare ne po privohemi nga këto beneficione. Këto janë vetëm pjellë e mendjeve dhe shpirtrave të prishur që duan ta fusin thikën brenda trungut shqiptarë. Shkrimet e disa personave se kinse përkatësia jonë fetare është shkak që ne si shqiptarë mbetëm jashtë procesit të liberalizimit të vizave janë ogurzezë dhe rritje e dozës së islamofobisë brenda popullatës shqiptare. Po këta tipa me aq perfiditet dhe pafytyrësi, mashtrojnë popullin dhe ftojnë që t'i bashkëngjitkemi "shpirtit të Evropës", faktikisht diçkasë që nuk ekziston fare. Këta tipa me gojën plot hedhin poshtë civilizim të plotë disa qindra vjeçar të kultivuar dhe zhvilluar në trojet tona, duke e titulluar si akulturim, me faktin se kemi "lajthitur nga shpirti i familjes së përbashkët Evropiane", apo kemi bërë shkëputje të lidhjes me civilizimin evropian.

Andaj e them me gojë dhe bindje të plot, se krenaria dhe nderi jonë më i madh do të jetë po që se arrijmë t'i ruajmë vlerat tona të mirëfillta kombëtare dhe fetare, vlera këto që na kanë dhënë "formën" që e kemi dhe që na kanë ruajtur nga qëllimet asimiluese të vendeve fqinje. Nuk kërkojmë të mbesim në këtë fazë të zhvillimit, por të mbesim me karakteristikat tona identifikuese kështu si jemi, sepse faza e integrimit në BE nuk do të thotë shkrirje apo asimilim. E kemi dëshmuar veten si komb, se edhe përkundër sprovave dhe sfidave të shumta që i kemi pasur, gjithmonë e kemi ruajtur veten tonë dhe kurrë nuk e kemi sjellë veten deri në "krizë të identitetit", gjithmonë kemi ditur ta bëjmë hapin e duhur gjatë ecjes sonë nëpër histori, hap ky që na e ka mundësuar mbijetesën në këtë troje. Mos të mundohet askush, me imponime dhe sulme poshtë belit të falsifikojë ndjenjat dhe vlerat tona civilizuese, sepse shpirti i civilizimit dhe kulturës se një grupi shoqërorë nuk shkon me imponim.

E them edhe njëherë se projekti BE është një projekt që ia vlen të ndiqet. Edhe euroskeptikët më të mëdhenj nuk mund t'i mohojnë të arriturat dhe anët pozitive që i solli ky projekt. Mirëpo, a është i përkryer? Assesi. Çka duhet të bëjmë ne? Të marrim symbyllurazi gjithçka që na vjen prej BE-së? Kjo është një marrëzi dhe budallallëk. Kjo është në kundërshtim edhe me vet procesin e integrimit që është shtylla kryesore e ndërtimit të BE-së. Ne duhet të mësojmë prej Evropës për zhvillimit ekonomik, atë tekniko-teknologjik, juridiko-politik, traditën e punës, e kështu me radhë, e mos të kërkojmë prej Evropës atë që ajo nuk e ka. Mos të kërkojmë prej Evropës pasuri shpirtërore dhe morale, sepse këto nuk i posedon ajo vet. Këto duhet ne t'ia ofrojmë. Mos të kërkojmë prej Evropës mësim për marrëdhëniet tona familjare kur ata kanë familje të shkatërruar, mos t'i marrim prej Evropës veset, po ti marrim të mirat dhe vlerat.

Unë jam për një Evropë të lirë, një Evropë të zhvilluar, një Evropë si treg të vlerave dhe mundësi të zgjedhjes, Evropë ku respektohet e drejta e secilit, Evropë që ia garanton secilit identitetin e tij personal, si pjesë e identitetit grupor apo kolektiv që i përket, me një fjalë Evropë të zhvilluar ekonomikisht, Evropë më të mirë për jetesë, kurse, në atë Evropë që ju po thirrni, ajo Evropë moti ka vdekur, ju thirrni në një Evropë pa shpirt, ju nuk thirrni në integrim, por thirrni në shkrirje dhe zhveshje nga çdo gjë shqiptare dhe shkuarje në Evropë lakuriq. Këtë Evropë nuk e do askush, a ju nëse doni, udha e mbarë ju qoftë.

(*) Magjistrant i studimeve evropiane)

Lexoni shkrimin që ngjalli replikën: Europa si shpirt dhe rragatjet tona

KOMENTE