Tiranë, 12 shtator NOA - Rekord gjobash janë vendosur vetëm 20 orët e fundit, në ditën e pestë të aksionit të Policisë Rrugore kundër shkelësve të qarkullimit rrugor në qarkun e Tiranës.
Megjithëse prej pesë ditësh drejtuesit e mjeteve janë vënë në dijeni për aksionin që ka ndërmarrë policia rrugore, shkelësit janë katër fishuar.
Kështu vetëm ditën e djeshme janë gjobitur rreth 2800 shoferë në qarkun e Tiranës.
"Shërbimet e Policisë së Tiranës nën drejtimin e drejtuesve të Policisë së Tiranës, po vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore.
Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj.
Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen për parkimet e gabuara, kryesisht parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës" thuhej në deklaratën e Policisë së Tiranës lëshuar ditën e sotme.
Policia deklaroi se për një periudhë një javore nga data 06 shtator deri më 11 shtator 2009 nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Patrullat e Përgjithshme dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë janë konstatuar dhe vendosur këto masa administrative, gjoba në total të vendosura 8073 me vlerë 4. 777. 690 lekë, gjoba qyteti 5684 me vlerë 4. 221. 620 lekë, gjoba linja 2389 me vlerë 556 070 lekë, dhe leje drejtimi te pezulluara 36 raste.
"Policia e Tiranës, sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor" përfundon deklaratën e saj policia e kryeqytetit.
k.k/NOAÂ