Tiranë, 12 shtator, NOA - "Çdo ditë bindemi për hapin që kemi bërë". Kështu e ka komentuar në një konferencë për shtyp hapin e bashkimit me Partinë Demokratike në të njëjtën qeverisje, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Sipas tij, jo vetëm që nuk ka vend për pendesë për këtë hap vendimtar të politikës vendase, por çdo ditë që kalon i bind edhe më tepër anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim se kjo ishte rruga e vetme për të shpëtuar vendin nga kriza politike dhe për të dhënë garancinë mbi vazhdimësinë e reformave.
"Kërkohet një angazhim i ri për stadin politik të vendit dhe për të çuar para reformat", mësohet të jetë shprehur ndër të tjera kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Në këtë aspekt, u shpreh se askush nuk ka më kohë për të humbur dhe se tani është koha për të marrë kthesën e re politike në vend.
Ndërsa sa i përket politikës që po ndjek Partia Socialiste, kreu i LSI-së, Meta, u shpreh se njerëzit janë të lodhur prej saj.
"Shqiptarët janë të lodhur nga politika e Partisë Socialiste. PS nuk ka respektuar marrëveshjen me LSI", tha ndër të tjera Meta.
n.e/NOA