English

Protokolli EULEX-Serbi përshëndetet nga SHBA. Kosova: Nuk ishim pjesë

Prishtinë, 12 shtator, NOA - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nënshkruan protokollin e diskutueshëm të bashkëpunimit policor.

Një fakt i tillë ka shkaktuar menjëherë reagimin e përfaqësuesve zyrtarë të Kosovës, sipas të cilëve, ata nuk kanë qenë pjesë e akordit për nënshkrimin e një marrëveshje të tillë.

"Republika e Kosovës nuk është palë në arranzhimet teknike midis EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë", ka qenë njoftimi zyrtar mbi një çështje të tillë nga dy institucionet qendrore kosovare.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë pohuan se protokolli është më rëndësi thelbësore për luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa i siguruan udhëheqësit në Prishtinë se ai nuk e dëmton sovranitetin e vendit.

Por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përshëndetën marrëveshjen teknike të nënshkruar për bashkëpunimin policor mes EULEX dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

"Shtetet e Bashkuara, janë të kënaqura që janë pjesë e EULEX-it dhe vlerësojnë EULEX-in për kryerjen e misionit, në përputhje me autorizimin dhe vizionin e autoriteteve të Republikës së Kosovës", thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ian Kelli.

n.e/NOA

KOMENTE