Lezhë, 12 shtator NOA - Pas djegies së rreth 4 kilometra traversa të linjës hekurudhore Shkodër-Lezhë pak ditë më parë, një tjetër zjarr ka djegur sot një pjesë të traversave në hekurudhën e linjës Shkodër-Tiranë.
Flakët e zjarrit kanë rënë sot në mesditë në afërsi të Lezhës në fshatin Tresh ku u dëmtua një pjesë e traversave duke ndërprerë kështu transportin hekurudhor në këtë linjë.
Makinat e zjarrfikëses mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të shuar flakët e zjarrit.
Pas përpjekjeve, punonjësit e zjarrfikësve arritën të neutralizojnë flakët e zjarrit.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit dhe nga hetimet e para dyshohet se banorët e zonës kanë tentuar të djegin mbeturinat pranë traversave ndërsa zjarri është përhapur e favorizuar dhe nga era.
Zjarri i rënë pak ditë më parë i cili dogji 4 kilometra traversa u shkaktua nga fshatarët e zonës të cilët i vunë zjarrin arave të tyre.
k.k/NOA