Athinë, 13 shtator NOA- Kreu i socialistëve grekë, Jorgos Papandreu, ka deklaruar një qëndrim ndryshe të Greqisë ndaj shtetit turk për anëtarësimin e tij në BE.
Shkak është bërë konflikti për ishullin e Qipros, një çështje kjo e vjetër por ende e pazgjidhur.
"Nuk përjashtoj mundësinë e bllokimit të Turqisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian", tha Papandreu.
Ai theksoi se Ankaraja do përballej me veton greke "nëse nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit të Qipros", që është e ndarë etnikisht.
Papandreu dhe partia që ai drejton udhëheqin anketat e opinionit në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Ky qëndrim paraqet ndryshim në pozicionin e Greqisë, e cila deri tani e kishte mbështetur hyrjen e Turqisë në BE.