Kakavijë, 13 shtator NOA - Një person i cili kishte marrë gjobë në shumën 20 mijë dollarë e cila i ishte konvertuar në 400 ditë burgim, është arrestuar në vendkalimin kufitar të Kakavijës pasi rezultonte person në kërkim.
Korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA, informon se mëngjesin e së dielës, rreth orës 03.30, në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavije, nga shërbimet e policisë kufitare të Stacionit të Policisë Kakavije është bërë ndalimi i 31-vjeçarit Agron Zeqo, i lindur dhe banues në Lushnjë.
Ndalimi i tij është bërë pasi është paraqitur në sportelet e përpunimit të shtetasve për në hyrje në Republikën e Shqipërisë dhe gjatë përpunimit në sistemin TIMS, rezultoi se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, konfirmoi policia.
Shpallja e tij në kërkim është bërë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë me vendim penal nr 24, datë 18.03.2008, e ka dënuar këtë shtetas me 20 milionë lekë të vjetra gjobë, për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit".
Gjykata e Rrethit Lushnjë ka bërë konvertimin e gjobës në 400 ditë burg për 31-vjeçarin Agron Zeqo.
I riu, ishte larguar në Greqi që prej vitit 2008 dhe sot në orët e para të mëngjesit është kthyer vetë nga Greqia për në Shqipëri.
Por, sapo është paraqitur në sportel, është ndaluar nga policia kufitare e Kakavijës dhe është lajmëruar Drejtoria e Policisë Fier për ta marrë për veprime të mëtejshme.
/v.d/e.r/NOA/