Shkodër, 13 shtator NOA - Dy kandidatët për Kryetar të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, kanë vijuar sot fushatën për zgjedhjet e përgjithshme në PS, në qytetin e Shkodrës, ku kanë shpalosur platformat, por njëkohësisht u janë përgjigjur edhe pyetjeve të anëtarësisë.
Kreu në detyrë i socialisteve, Edi Rama është ndalur jo vetëm te platforma e tij se si do ta drejtoj Partinë Socialiste në 4 vitet e ardhshme, por sidomos te nevoja për t'i rezistuar me të gjitha mënyrat demokratike këtij pushteti që po qëndron në këmbë në mënyrë ilegjitime.
Sipas Ramës, marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin, është roli i duhur i një opozite që është në mbrojtje të demokracisë.
"Parlamenti sigurisht që është vendi ku zhvillohet debati në një demokraci normale, por ne nuk mund të lejojmë që Parlamenti të kthehet në një teatër të një demokracie që sot jo vetëm nuk është normale, por është e kërcënuar në funksionet e saj jetike. Fitorja jonë në 61 % të territorit, që ka të bëjë me të gjithë zonën urbane të Shqipërisë është një tregues kuptimplotë se operacioni i korrupsionit elektoral nuk ka funksionuar dot në qytete" u shpreh Rama.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një socialisti shkodran, Edi Rama u shpreh se koalicionet PS duhet t'i ndërtojë në bazë të parimeve dhe në shërbim të interesave qytetare dhe jo mbi baza pazaresh siç ka ndodhur në gjithë këto vjet.
"Ajo që unë e kam thënë vazhdimisht dhe të cilës i qëndroj dhe do t'i qëndroj edhe pas 28 shtatorit, është se ne nuk na duhet një pushtet për Edi Ramën, Ilir Metën dhe ca kryetarë. Një pushtet që vazhdon po këta avaz të vjetër të 18 vjetëve. Por, na duhet një pushtet që ndryshon jetën tënde, aty ku jeton, që ndryshon jetën e atyre njerëzve që kanë 18 vjet që votojnë duke dëgjuar gjithfarë lloj premtimesh dhe pastaj qeverisen në shkelje të gjitha premtimeve. Unë jam këtu sepse besoj se misioni ynë i përbashkët është të ndryshojmë politikën në Shqipëri, pa ndryshuar politikën nuk e ndryshojmë dot qeverisjen. Shumë shpejt do të shikoni se nuk është asgjë tjetër veçse një pazar për të vazhduar të plaçkitin Shqipërinë ata që janë atje lart dhe që do ti krijojnë vuajtje të mëtejshme atyre që janë poshtë" tha Rama.
Nga ana tjetër, konkurrenti Maqo Lakrori, ka vënë theksin te bashkimi i të majtës dhe realizimit i zgjedhjeve të parakohshme, për të rivendosur legjitimitetin e shtetit.
Lakrori ka shpjeguar para anëtarësisë pjesë të platformës së tij, me të cilën kërkon votën më 26 shtator.
"Drejtimi është për të ecur me një program të qartë, shumë planesh edhe për rishikimin e ndryshimeve që janë bërë kushtetutës vitin e kaluar, eventualisht edhe ndryshimeve të tjera, duke kaluar në një referendum popullor. Ne i kemi numrat e domosdoshme të votave në Parlament, për ta realizuar këtë referendum. Natyrisht, është një veprim që duhet menduar shumë mirë, duhen parashikuar të gjitha situatat e mundshme. Sot duke vepruar në drejtimet që përmenda, do të kemi mundësi t'i realizojmë zgjedhjet e parakohshme dhe t'i fitojmë ato. Meqë bëhet fjalë për zgjedhje, kemi përpara zgjedhjet e 2011, të pushtetit vendor, në të cilat na duhet të ruajmë epërsinë që kemi tani" tha Lakrori.Â
Të dy kandidatët për kreun e PS, Rama e Lakrori, kanë zhvilluar një ballafaqim të tillë edhe në qytetin e Lezhës.
k.k/NOA