English

Konfindustria dhe KEK, pakt për Forumin Botëror "Kosova, mundësi energjetike"

Prishtinë, 14 Shtator NOA - Mes Konfindustrisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës/KEK u nënshkrua në Prishtinë, marrëveshja e bashkëpunimit për organizimin e Forumit Ndërkombëtar "Kosova-një mundësi energjetike".

Ky forum, do të zhvillohet në Prishtinë në datat 5-6 tetor 2009. Kjo marrëveshje u nënshkrua ndërmjet Administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrisë Gjergj Buxhuku dhe Drejtorit Menaxhues të KEK, Arben Gjukaj.

Forumi do të jetë një nga ngjarjet e rëndësishme të llojit të tij në rajonin e Evropës Juglindore dhe i pari i zhvilluar në Kosovë.

Në të do të marrin pjesë kompanitë private dhe publike më të rëndësishme europiane dhe botërore të prodhimit, rrjeteve të transmetimit, menaxhimit dhe teknologji të energjisë elektrike.

Gjithashtu do të marrin pjesë ministra të energjetikës, ekonomisë dhe financave nga vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme financiare dhe bankare ndërkombëtare si KFË, Banka Botërore, FMN, etj.

Forumi synon të shpalos përpara investitorëve të rëndësishëm mundësitë e shumta natyrore të Kosovës dhe njëkohësisht projektet konkrete për prodhimin e energjisë elektrike jo vetëm nëpërmjet fosileve të ngurta/linjitin rezervat e të cilit janë të rëndësisë ndërkombëtare, por njëkohësisht dhe nëpërmjet burimeve të ujit, erës, etj.

Atje do të paraqiten gjithashtu edhe projektet në zbatim dhe të parashikuara për të filluar së shpejti, që tregojnë vullnetin e plotë të Qeverisë së Kosovës për përfshirjen dhe shfrytëzimin sa më të mirë dhe në dobi të të gjithëve, të rrjetit energjetik të Kosovës në sistemet rajonale dhe europiane, duke përfituar nga pozita gjeografike strategjike e Kosovës.

Vend të rëndësishëm në Forum do të ketë paraqitja e reformave të rëndësishme institucionale dhe ligjore të kryera nga Qeveria e Kosovës e domosdoshme për zbatimin e projekteve energjetike dhe tërheqjen e investitorëve të huaj dhe financimeve ndërkombëtare.

Ministria e Energjisë dhe Minierave të Kosovës ka shprehur mbështetjen e saj për nismën e Konfindustrisë për zhvillimin e Forumit Ndërkombëtar të Energjisë që do të zhvillohet në Prishtinë muajin e ardhshëm.

/a.b/e.r/NOA/

KOMENTE