English

Kosova në BE, dhe protokolli i ELUEX

Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ecën nëpër kundërshtimin e protokollit EULEX-Serbi

Nga Alexandra Channer

Kërcënimi i Carl Bildt-it se kundërshtimi i Kosovës ndaj protokollit EULEX-Serbi do t'i minojë shanset e Kosovës për anëtarësim në BE, fillimisht u postua në blog-un e tij personal, kurse tash është politikë zyrtare e Presidencës së BE-së. Ashtu sikurse rezistenca kundër UNMIK-ut refuzohej, duke e kornizuar atë në kundërshtim me OKB-në, po kështu rezistenca kundër protokollit të EULEX-it dhe mandatit të tij "neutral ndaj ststusit" po portretizohet kundërshtim ndaj BE-së. Kjo është propagandë efektive sepse sipas Gallup Balkan Monitor, më 2008, 89 përqind e e popullit të Kosovës ishte në të mirë të bashkimit me BE-në - më i larti nivel në rajon.

Këtë të martë, kur Thaçi do të thirret në zyren e Solana-s si një nxënës trazovaq, atij do t'i thuhet se nuk ka zgjedhje tjetër përveç lejimit dhe miratimit të protokolleve të EULEX-it me Serbinë, sepse kjo është një pjesë e kërkuar për procesin e hyrjes në BE. Po ashtu Solana mund t'ia kujtojë atij se kah mesi i tetorit pritet të dalin Raporti i Progresit i BE-së si dhe Studimi i Fizibilitetit, katër javë të mira përpara zgjedhjeve lokale.

Sidoqoftë, protokolli EULEX-Serbi nuk ka të bëjë asgjë me mbështetjen e të ardhmes së Kosovës drejt BE-së, por gjithçka me ndihmën për Serbinë. Ky protokoll bashkëpunimi i kërkohet Serbisë për t'u kualifikuar për liberalizimin e vizave, për ç'gjë Kosova as që u mor fare parasysh. Kundërshtimi i protokollit po i shqetëson Solana-n e Buldt-in pikërisht ngaqë po e pengon përparimin e Serbisë drejt BE-së.

Në të vërtet, Protokolli EULEX-Serbi është në kundërshtim me konceptin e integrimit të Kosovës në BE. Kosova mund t'i delegojë disa nga të drejtat sovrane për t'iu bashkuar BE-së vetëm si shtet sovran, i pavarur dhe demokratik. Procesi i hyrjes në BE nënkupton që vetë Kosova të arrijë marrëveshje bilaterale me shtetet tjera, të cilat janë ‘fqinj të mirë'.

E drejta e EULEX-it për të hyrë në negociata dhe nënshkruajë protokolle në emër të Kosovës nuk ka kurrfarë mbështetje legale. As Kushtetuta e Kosovës, e as Plani i Ahtisaarit nuk mund të interpretohen për ta përkrahur veprimin e EULEX-it dhe, sidoqoftë, thirrja në to është e palogjikshme. "Neutraliteti ndaj statusit" i EULEX-it do të thotë që ai nuk e nxjerr legjitimitetin e vet nga Kushtetuta; por as nga Plani i Ahtisaarit, prej të cilit ai u nda shumë qartë në vitin 2008.

Të vetmen hapësirë që protokolli e ka është Rezoluta 1244, sepse protokolli është pjesë e Planit 6 Pikësh të Ban Ki-moon-it, të ofruar në qershor të vitit 2008 dhe i përfunduar më 24 nëntor të po atij viti. Raportet e Këshillit të Sigurimit për Kosovën gjatë marsit dhe qershorit 2009 i referohen rolit të EULEX-it që ai ka për negocimin e këtyre propozimeve për policinë, doganat dhe drejtësinë, përbrenda kornizës së bisedimeve UNMIK-Serbi. Prandaj protokolli EULEX-Serbi po e afirmon vlefshmërinë e Rezolutës 1244, e cila mund ta ndikojë negativisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe që, në fund të fundit, do të mund të ngris shqetësime te njëzet nga njëzetepesë shtetet e BE-së që e kanë njohur shpalljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Çdo trup i BE-së, prej Presidencës deri te Solana e EULEX-i, me ngut dënuan kundërshtimin e protokollit por, në anën tjetër, ata kanë bërë përpjekje të mëdha që ta sigurojnë Serbinë se oferta e BE-së për të nuk do të kushtëzohet me Kosovën. Në fakt, aq dëshpërueshëm po e bën BE-ja ofertën e saj për Serbinë, saqë po dëshiron t'i injorojë të gjitha shkeljet e vazhdueshme të kushteve themelore për hyrje në BE nga ana e Serbisë: zotimin për paqe dhe stabilitet rajonal, zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, respektimin dhe mbrojtjen e pakicave, si dhe mbështetjen e tregtisë së lirë rajonale. Pse Solana nuk po e thërret Tadiqin në zyrën e tij që t'i kërkojë Serbisë ta ndërpresë financimin dhe mbështetjen e strukturave të saj të dhunshme paralele brenda Kosovës? Presidenca suedeze e BE-së nuk i kërkoi Serbisë që të mos mbante zgjedhje të paligjshme lokale brenda Kosovës para një muaji; dhe as një zhurmë u bë lidhur me refuzimin që Serbia po ua bën diplomave të studentëve shqiptarë nga Presheva të cilët kanë studiuar në Kosovë, duke ua mohuar kështu të drejtën elementare njerëzore për t'u punësuar. Dhe në fund, por jo e gjitha, Serbia po vazhdon t'i bojkotojë mallrat e prodhuara nga Kosova, dhe në këtë mënyrë po e shkel marrëveshjen e CEFTA-s. Kur vjen deri te interesat e Kosovës, "statusi neutral" i EULEX-it shfrytëzohet si shfajësim për mosveprim; kurse kur kemi të bëjmë me interesat e Serbisë, kjo bëhet arsye për mbështetje.

Po qe se protokolli EULEX-Serbi do të ecën tutje me apo pa miratimin e Prishtinës, kjo do të tregonte se strategjia e BE-së në Kosovë është thjesht ndërtimi i një kornize që ua mundëson atyre kontrollimin dhe ngurtësimin e Kosovës si një zonë "statusi neutral", kurse në anën tjetër, përshpejtimin e hyrjes së Serbisë në BE. Kjo nuk do ta sjell BE-në më afër qëllimit të shumësynuar të ‘stabilitetit'. Çka është më e rëndësishme, kjo do t'i pamundësojë të drejtat, liritë dhe zhvillimin e popullit që jeton në Kosovë, dhe i cili e ka shprehur vullnetin e vet politik shumë qartë.

KOMENTE