English

Mafia ndërkombëtare në Kosovë

Mafia ndërkombëtare është përzier edhe në marrëveshjen për MVNO në PTK, me konsorciumin Dardafon. Një konsorcium i përbërë nga Devolli Company dhe një kompani amerikane, UNITEL, arriti marrëveshjen që në terma realë do të thotë falje e biznesit të operatorit publik Vala për këtë konsorcium

Nga Avni Zogiani*

Në një moment të caktuar, derisa ishte në opozitë, kryeministri i tashëm Hashim Thaçi bëri një rrugë në Izrael. Nga atje kthehet me dy këshilltarë në mesin e të cilëve edhe Arie Robfolger, një biznesmen që më vonë do të bëhej faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen në Kosovë.

Në kohën kur Thaçi bëri këtë vizitë në Izrael, fushata e PDK-së kundër korrupsionit në privatizimin e Ferronikelit ishte në pikun e saj. Kjo fushatë bëhej nëpërmjet konferencave për shtyp të Bajrush Xhemajlit. Me t'u kthyer Thaçi nga Izraeli, PDK-ja hesht përfundimisht në lidhje me tenderin e korruptuar të Ferronikelit, dhe Bajrush Xhemaili hedhet si kryetar komune në Ferizaj. Natyrisht tashmë u qartësua se nuk ishte korrupsioni në privatizimin e Ferronikelit arsyeja pse PDK bënte zhurmë, por fakti se ky proces u kontrollua nga ministra të AAK-së, në ndërkohë që PDK natyrisht pretendon primatin në Drenicë.

Sido që të jetë, rasti i Ferronikelit, gjegjësisht kompania fituese e tenderit, siguroi një vizitë të kryeministrit të tashëm në Izrael, dhe një kompani që do bënte strategjinë për fushatën zgjedhore të PDK-së për vitin 2007. Sachi&Sachi, dega në Izrael si kundërshpërblim do ta merrte një tender 5.7 milionë në më pak se një vit prej ardhjes në pushtet të PDK-së, kurse këshilltarët izraelitë do të jenë ata që do ta thonë fjalën e fundit për bizneset më të rëndësishme publike në Kosovë.

Në një korrespondencë me e-mail që bën udhëheqësi i projektit Kosova e Re/C, zoti Lorik Haxhiu, ai madje kërkon nga Robfolger që t'i tregojë atij nëse Qeveria e Kosovës jep para për riparimin e ekskavatorëve në mihje sipërfaqësore, ose nëse ka para për të blerë ekskavator të ri, ose të dyja. "Jam në kontakt me ekspertët e minierave (të qymyrit - njëri nga ata është babai i zotit Haxhiu) dhe ata kërkojnë ta dinë nëse qeveria ka fonde për të riparuar ekskavator, për të blerë të ri, apo të dyja", thotë e-maili i zotit Haxhiu drejtuar zotit Robfolger. Ky e-mail, i botuar në njërën nga mediet kosovare, do duhej të ishte subjekt i prokurorisë për dy arsye. E para, ç'i hyn në udhë udhëheqësit të Kosova e Re për punën e ekskavatorëve në mihje, përveç nëse mbrapa kësaj qëndron ndonjë biznes. Dhe e dyta, pse duhet të pyetet z. Robfolger, kur për subvencione ndaj KEK-ut këtë punë është Ministria e Energjisë dhe e Minierave që duhet të vendosë.

Rast tjetër i një ndërhyrje të hapur të ndërkombëtarëve në Kosovë është tenderimi i frekuencave për operatorin e dytë të telefonisë mobile. Siç dihet nën dyshimet për korrupsion ky tender qe anuluar diku nga viti 2004 dhe qe organizuar prapë në vitin 2007. Në atë kohë ankesat më të mëdha i kishte grupi i interesit që ishte i lidhur me Albright Group. Tre vjet më vonë ky tender nuk anulohet edhe pse shënon rastin më skandaloz të shkeljeve dhe të korrupsionit. Tenderi bëhet pa u botuar kriteret, në tender lejohet një entitet biznesi të bëjë dy oferta, dhe ç'është më skandalozja, ofertat nuk hapen në mënyrë publike. Shikuar nga këndvështrimi i ligjit në fuqi ky tender ka qenë praktikisht ilegal. Megjithatë, duke qenë se kësaj radhe Albright Group u përfshi në konsorciumin që fitoi pas tërheqjes së kompanisë që doli fituese, përkundër faktit se u shkelen të gjitha dispozitat e rëndësishme ligjore tenderi u quajt i rregullt. Natyrisht pjesë e këtij konsorciumi do bëheshin më vonë edhe ushtarët që kryen punën në emër të politikës dhe të shoqërisë civile siç janë Fron Nazi, udhëheqës i organizatës East-East, që operonte fondet e USAID për shoqërinë civile dhe Dino Asanajt, njeri i afërt me PDK-në.

Llamkosi është një rast tjetër flagrant në të cilin sot e kësaj dite punon si menaxher Anton Berisha, njeriu që si zyrtar i AKM-së kishte udhëhequr procesin e privatizimit të kësaj kompanie shumë fitimprurëse. Vlen të theksohet se situatë e njëjtë është edhe në Ferronikel, ku punon një ish-zyrtar i AKM-së që mori pjesë në privatizimin e kësaj kompanie.

Mafia ndërkombëtare është përzier edhe në marrëveshjen për MVNO në PTK, me konsorciumin Dardafon. Një konsorcium i përbërë nga Devolli Company dhe një kompani amerikane, UNITEL, arriti marrëveshjen që në terma realë do të thotë falje e biznesit të operatorit publik Vala për këtë konsorcium. Sipas kësaj marrëveshjeje, pa pasur ndonjë kontroll rreth transaksioneve financiare, Dardafon do të jetë në gjendje të operojë deri në 78% të shërbimeve të Valës nëpërmjet internetit pa përcaktuar qartë se me çfarë çmimi do blihen minutat e operuar nga kjo kompani dhe si do të monitorohet tërë ky biznes.

Në një marrëveshje tjetër, KEK-u thjesht i ka dhënë rreth 49 milionë euro kompanisë shtetërore serbe 14 Oktobar për riparimin e shiritave transportues. Nënshkrues i kësaj kontrate është Njazi Thaçi, kushëriri i parë i kryeministrit Hashim Thaçi.

Sot e kësaj dite Kosova vazhdon të blej rrymën më të shtrenjtën në rajon dhe një nga kompanitë që e furnizon atë është Rudnap, të cilën e udhëheq Damir Fazliq, nipi i ish-shefit të UDB-së në kohën e Milosheviqit, Stanishiqit.

Kjo radhë e tenderëve të kontrolluar nga mafia ndërkombëtare mund të vazhdojë. Këto janë vetëm disa raste kur informacionet kanë dalë në shesh nëpërmjet burimeve të ndryshme. Sot, rendi dhe ligji në Kosovë praktikisht mbahet nga misioni i BE-së për mbisundim të ligjit, EULEX. Në fillim të zbarkimit të saj, EULEX premtoi se do të ketë dorë të fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me t'u zbarkuar EULEX kuptoi se në të vërtet në Kosovë problemi më i madh është involvimi i mafies ndërkombëtare nëpër biznese të dyshimta. Me të kuptuar këtë EULEX ndërroi prioritetet dhe e vendosi luftimin e krimeve të luftës në krye të agjendës edhe pse të gjitha raportet, përfshirë edhe ato të Komisionit Evropian, tregojnë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë problemet kryesore që pengojnë zhvillimin e Kosovës. EULEX ka ardhur në Kosovë me qëllim të mbarimit të shpejtë të mandatit të saj. Duke pasur parasysh rrethanat e përshkruara më lart dhe duke i ditur prioritetet e EULEX-it, është e vështirë të shihet ndonjë strategji dalëse e këtij misioni. Kjo definitivisht është një lajm i keq për të ardhmen evropiane të Kosovës.

(*) Bashkëthemelues i organizatës ÇOHU!

KOMENTE