English

Maqo Lakrori: Si mund të ringrihet e majta

Albert Zholi*

Tiranë, 14 Shtator NOA - Maqo Lakrori, kandidat për kryetar është një ndër figurat kryesore të PS. Ai ka qenë ideues i statusit të parë të kësaj partie dhe për vite me radhë ka dhënë një kontribut të çmueshëm për emancipimin, demokratizimin dhe fitoren e PS në zgjedhjet postkomuniste.

Në këtë intervistë ai flet për platformën e tij për ardhjen e PS në pushtet, për mënjanimin dominues të rolit absolute të individit në parti (shoqëri), për problemet e sotme të së majtës dhe mënyrën qeverisjes (me marrjen e pushtetit) sipas standardeve euroatlantike

Cilat ishin arsyet që ju vendostë të vëni kandidaturën për kreun e PS-së?

Arsyet janë shumë, pasi unë kam qenë një ndër themeluesit e kësaj partie dhe nuk mund të tërhiqem dhe të mos jap mendimet e mia përpara zhvillimeve të fundit. Ndër ato që dua të rendis për garimin është dalja në pah e problemeve që çan në humbjen e PS-së, zhvillimi i demokracisë së brendshme në parti, rikthimi i solidaritetit dhe frymës shoqërore në marrëdhëniet mes nesh, mbrojtjen (imunizimin) e partisë nga çdo përpjekje për kapjen e saj nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, motivimi i të gjithë strukturave të PS, kompaktësimi i tyre, apo bashkëpunimi me çdo formacion tjetër progresist, në shërbim të interesave madhore jopartiake të vendit dhe kombit. Pra, janë shumë arsye, por unë rendita disa prej tyre.

Ju thoni se duhet të përmirësohet puna brenda strukturave të partisë për marrjen e pushtetit dhe për një parti të fortë. Ku konsiston ky përmirësim?

Unë më lart e ceka paksa se si duhet të funksionojë PS. Janë tre drejtime kryesore, me objektiva të afërta dhe të largëta që duhet të arrihen për përmirësimin dhe reformimin e PS, ku kryesorja mbetet zhvillimi i demokracisë së brendshme. Vetëm një parti me demokraci të brendshme mund ti shërbejë funksionimit demokratik të shtetit., vetëm një parti me solidaritet mund të ndërtojë një shtet solidar me çdo shtetas të vet, Vetëm një parti e pa kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar e gjen forcën për të luftuar me kujdes problemet shqetësuese të shoqërisë.

Mund të na thoni disa nga ndryshimet kryesore që ju mendoni se duhet ‘i bëhen statusit të PS?

Janë shumë, por më kryesoret janë, rikonfirmimi që në hyrje që PS është një parti e majtë demokratike, që ka në themel të saj solidaritetin njerëzor. Ndarja përfundimisht nga kulti I individit. Drejtim kolegjial dhe punë në ekip, në çdo nivel organizativ të PS. Konkurrim i hapur publik për çdo detyrë përfaqësuese politike. Mendimi zyrtar dhe mendimi ndryshe, etj..

Tashmë folëm për statusin..Po në program, çfarë ndryshimesh parashikoni në platformën tuaj?

Së pari qartësoj qartë se PSSH është parti me program themelor të majtë demokratik. Detyrimi për hartimin dhe zbatimin e programeve qeverisëse kombëtare dhe vendore më përputhje me programin e partisë duke respektuar mundësitë ligjore. Rishikimi i të gjithë kapitujve të programit ekzistues, nga pozicioni i një të majte moderne perëndimore, në kushtet e reja dhe në dinamikën e re të zhvillimeve në vendin tonë, dhe në gjithë botën. Kjo pasi bota po ndryshon me shpejtësi e përfshirë në procese integrimi, ndërvarësie, dhe globalizmi. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, me objektiva kryesore zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sociale, që përjeton sot shumica e popullsisë dhe hapjen e një perspektive optimiste…

Tashmë të ndalemi në një moment tjetër, tek veprimi politik, çfarë përmban platforma juaj në këtë pikë, në krahasim me programin e mëparshëm të PS?

Drejtimi bazë i veprimit politik të PS, do të jetë qeverisja me përgjegjësi, efikasitet, si në qeverisjen vendore dhe atë qendrore. Këtë e përcakton detyrimi ndaj atyre që kanë votuar për përfaqësuesit e PS në Kuvend dhe pushtetin vendor dhe ndaj popullit në tërësi. Këtë përgjegjësi e shton dhe më shumë fakti që PS është partia më e madhe në vend.

Për jetën e brendshme në parti flitet shumë. Sidomos për zgjedhjet në forumet drejtuese. Si do të jetë platforma juaj për veprimtarinë e brendshme në parti?

Veprimtaria e brendshme në parti do të kalojë në disa faza kryesore, si: Konkurrimi i platformave dhe individëve për detyrën e kryetarit, analiza e rezultatit zgjedhor, përgatitja e projektit të ndryshimeve në program dhe në statusin e PSSH, publikimi i projektit (mbledhja e vërejtjeve dhe propozimeve) nga anëtarësia e partisë, dhe riorganizimi i partisë sipas Statutit të miratuar nga Kongresi.

Kohët e fundit keni folur për bashkimin e së majtës shqiptare. Si mund të realizohet ky bashkim?

Nisma e PSSH për bashkimin e së majtës shqiptare, bazuar në vlerat e përbashkëta ka si synim sjelljen e së majtës demokratike në pushtet. Ky bashkim mund të arrihet në dy rrugë kryesore: Integrimi i plotë në PSSH, ose bashkëpunim me PSSH.

Rruga e parë është që partitë e tjera të majta të integrohen plotësisht në PSSH, dhe anëtarët dhe drejtuesit e tyre të përfshihen në sistemin e organizimit dhe të drejtimit në gjithë nivelet e strukturave të PS. Rruga e dytë të përcaktohet një formë organizimi e përbashkët, ku secila forcë politike ruan identitetin e vet, duke respektuar njëkohësisht strukturat e përfaqësimit dhe rregullat e funksionimit të tyre, të vendosura bashkërisht.

Në shtyp flitet se Maqo Lakrori ka një bashkëpunim të fshehtë me Ramën në këtë konkurrim, apo kompromis, që Rama të mos ngelet i vetmi në garë?

Nuk merrem me thashetheme. Unë jam kundër kultit të individit, pasi idhujt në politikë shmangin, largojnë, arsyetimin e shëndoshë. Kurrë skam qenë i kulisave dhe njeri servil. Unë jam vetvetja dhe dal përballë me platformë të qartë dhe të plotë. Ata që më njohin e dinë karakterin tim.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE