Gjirokastër, 13 Shtator NOA - Ditë rraskapitëse në Memaliaj, ka pasur një 39-vjeçar skraparlli me banim në Tiranë, pasi fillimisht mori gjobë nga policia për prishje rendi, më tej sulmoi banesën e policit që i vuri gjobën dhe në vijim u konfrontua me kolegët e uniformës blu derisa ra në pranga dhe tani gjendet në paraburgim.
Historia e tipit "vestern", e nisur dje paradite, është mbyllur në orët e para të së dielës kur 39-vjeçari Arben Çeço, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për "Falsifikim dokumentesh", u arrestua nën akuzat e radhës, "Dhunim banese" dhe "Kundërshtim i punonjësve të policisë së Rendit Publik".
Gjithçka nisi paraditen e së shtunës, kur endacaku Çeço ka bërë sherr në një lokal në fshatin Grapsh të Dropullit të Poshtëm Gjirokastër.
Pak minuta më vonë, 39-vjeçari është shoqëruar në Policinë e Gjirokastrës dhe është ndëshkuar me gjobë, për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Duke mos e kapërdirë këtë fakt, 39-vjeçari ka vendosur "të hakmerret". Mesnatën duke nisur e diela, ai ka dhunuar banesën e shtetasit K.A, në lagjen Nr 1 në qytetin Memaliaj të rrethit Tepelenë.
Burimet hetimore i thanë agjencisë NOA se Arben Çeço pasi ka prishur rrjetën mbrojtëse të dritares së dhomës së gjumit ka hyrë brenda, por pjesëtarët e shtëpisë e kanë dëgjuar dhe janë përleshur me të.
Në pak minuta, në ndihmë të familjarëve të sulmuar, kanë ardhur edhe fqinjët, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi i gatshëm i Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe forcat e Stacionit të Policisë Memaliaj.
Zyrtarisht, policia tha se nga përleshja me pjesëtarët e familjes së K.A, me 39-vjeçarin, nuk ka të lënduar.
Por historia nuk është mbyllur këtu. Arben Çeço ka kundërshtuar me dhunë edhe forcat e policisë. Kjo megjithatë nuk ka zgjatur shumë, sepse ai është shoqëruar forcërisht për në komisariatin e Policisë Tepelenë.
v.d/e.r/NOA