Nga Klodiana Kotorri
Tiranë, 13 shtator NOA - Si sot një vit më parë, vdiq Kosta Trebicka, i cilësuar si dëshmitari "kyç", i tragjedisë së Gërdecit.
Vdiq në një aksident me makinë në një fshat të Voskopojës, në Korçë.
Në fakt nuk ishte aq e thjeshtë të bindej opinioni publik se Trebicka humbi jetën si pasojë e një aksidenti vetëm dy muaj pasi kishte filluar të fliste për tregtinë e municioneve nga Shqipëria drejt Afganistanit.
Policisë, Prokurorisë, shtetit në përgjithësi, por edhe shërbimit inteligjent amerikan FBI, iu deshën disa muaj të deklaronin përfundimisht se Kosta Trebicka, biznesmeni që denoncoi trafikun e armëve që kishte të bënte me tragjedinë e Gërdecit, vdiq nga një aksident i thjeshtë dhe se "akuzat" se ai u vra ishin vetëm aludime.
***
Mesditën e 13 shtatorit të vitit 2008, dy fshatarë lajmërojnë policinë se një person i vdekur ndodhej disa metra larg një makine në fshatin Lekas në Korçë.
Forcat e policisë të cilat mbërritën të parat në vendin e ngjarjes kontrolluan fillimisht në automjetin e viktimës për të gjetur ndonjë dokument identifikimi.
"Kosta Trebicka" ishin gjeneralitetet e viktimës, që u konstatuan nga dokumentet e gjetura në makinë.
Kaq u desh në vendin e ngjarjes të mbërrinin me dhjetëra forca policie, prokurorë të Krimeve të Rënda, madje vetë kryeprokurorja Ina Rama, apo edhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit.
Ky nuk ishte një aksident si gjithë të tjerët.
Aksidenti i Kosta Trebickës nuk mund të kalohej lehtë, pasi fill pasi u përhap lajmi se biznesmeni kishte vdekur u hodhën dhe akuzat e para për një vrasje të mundshme.
Policia dhe prokuroria rindërtuan disa herë mekanizmin e ngjarjes.
E ndërsa dy institucionet e hetimit po përpiqeshin të zbardhnin se ç'kishte ndodhur me Trebickën, Ministria e Brendshme vetëm pak orë pas ngjarjes doli publikisht me një deklaratë subjekti i së cilës ishte: Kosta Trebicka vdiq nga një aksident.
Mirëpo nuk përfundoi me kaq, vdekja e biznesmenit pati jehonë edhe në mediat e huaja, ndërsa mblodhi hetuesit në një ballafaqim mediatik, ku oficerët dhe prokurorët që morën pjesë në këtë hetim u ftuan në një emision televiziv për të treguar se ç'kishte ngjarë me Trebickën.
Pamjet e vendit të ngjarjes u shfaqën në media, ku dukej trupi i Trebickës disa metra larg automjeti.
Ndërsa terreni ishte fushë dhe mendohet se Trebicka po udhëtonte me afro 50 kilometra në orë.
Pranë trupit të tij paralelisht ndodhej pushka të cilën ai e përdorte për gjueti si dhe një zog të cilin e kishte vrarë.
Sipas familjarëve, ai atë mëngjes kishte shkuar i vetëm për gjueti në zonat e thella të Korçës, një ditë pasi kishte zënë një dhomë hoteli në Voskopojë.
Pikërisht këto pamje do t'i jepnin opinionit publik të hetonin vetë mekanizmin e ngjarjes nëpër forume të ndryshme.
Për disa ishte e pamundur të ndodhte një aksident i tillë por hetimet tyre do t'u vinte vulën policia dhe prokuroria madje pas disa muajsh edhe hetuesit amerikanë, se kjo ngjarje ishte thjesht një aksident madje ata posedonin edhe prova të mjaftueshme për të vërtetuar aksidentin duke e mbyllur kështu njëherë e mirë çështjen "Trebicka" i cili guxoi të denonconte tregtinë e armëve të cilat dilnin edhe nga Gërdeci.
Policia tha se kishte siguruar rrëfimet e dy dëshmitarëve të cilët deklaruan se makina kishte bërë salto në ajër dhe viktima mund të ketë pësuar plagë të rënda në kokë si rezultat i përplasjeve të forta.
Dëshmitarët i thanë policisë se biznesmeni ka hyrë në makinë dhe ka tentuar ta ndezë atë. Sipas tyre, fuoristrada e tij, "Nissan" nuk i është ndezur.
Personi në makinë ka tentuar të bëjë mbrapa, por në këtë moment, sipas dëshmitarëve, makina ka bërë edhe saltot që besohet se mund të kenë sjellë edhe aksidentin tragjik.
Kosta Trebicka u varros në Tiranë, një ditë më pas, më datë 14 shtator dhe në ceremoninë mortore të tij morën pjesë me qindra njerëz, kurse shpallja zyrtare e vdekjes së tij aksidentale, u bë, mbi dy muaj më pas.
/k.k/e.r/NOA/