English

Parlamenti Evropian konfirmon të mërkurën rizgjedhjen e Barrosos si kryetar i KE

Bruksel, 13 shtator NOA-Parlamenti i Evropës, këtë javë do të vendosë për rizgjedhjen në funksion të kryetarit të Komisionit të Evropës, Jose Manuel Barroso, përmes votimit i cili do të zhvillohet të mërkurën.

Fraksionet e partive në Parlamentin e Evropës javën e kaluar u shprehën kundër shtyrjes së votimit për konfirmimin e Barrosos.

Kjo lë të kuptojë se në Parlamentin e Evropës tashmë ekziston shumica e nevojshme, për të konfirmuar Barroson në mandatin e tij të dytë pesëvjeçar në krye të Komisionit.

Socialdemokratët në Parlamentin e Evropës kanë theksuar se gjatë votimit në parlament ata do të përmbahen dhe se nuk do të votojnë kundër ish-kryeministrit konservator të Portugalisë.

Deri me tani, përkrahjen për Barroson e kanë konfirmuar konservatorët, demokristianët dhe liberalët, ndërsa të gjelbrit dhe të majtët kanë theksuar se do të votojnë kundër tij.

Më herët, socialdemokratët dhe të gjelbrit kishin kërkuar që votimi për kandidaturën e Barrosos të shtyhet për më vonë.

Barrosi si kandidat ishte emëruar në mënyrë unanime nga të 27 shtetet anëtare të BE-së dhe mandati i tij i dytë zyrtarisht do të fillojë në nëntor.

KOMENTE