Tiranë, 13 Shtator NOA - Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, tha sot se me rastin e fillimit të Vitit të Ri shkollor 2009-2010, strukturat e saj kanë marrë të gjitha masat e nevojshme, për sigurimin e rendit dhe të qetësisë, pranë qendrave studentore dhe shkollat e të gjitha niveleve.
Në ditën e parë të mësimit, Policia e Tiranës thotë se do të angazhojë pranë objekteve shkollore, punonjës policie të cilët do të marrin një varg masash që konsistojnë:
- Do të mbajnë kontakte me drejtuesit e shkollave dhe shërbimin e sigurisë së shkollave që kanë në territorin e tyre.
- Nuk do të lejojnë hyrjen e personave të tjerë, në ambientet e shkollave, të cilët prishin rendin e qetësinë publike; - Do të mbajnë kontakte të vazhdueshme me personelin mësimdhënës, në drejtim të evidentimit të nxënësve problematikë; - Do të bashkëpunojnë me rojet private të shkollave; - Nuk do të lejojnë parkimin e automjeteve apo shitësve ambulantë pranë objekteve shkollore, me qëllim parandalimin e aksidenteve apo shkeljeve të tjera të ligjit. - Do të identifikojnë dhe kontrollojnë elementët me precedentë policorë, që cënojnë rendin e qetësinë publike apo kanë tendenca për kryerjen e veprave penale. - Do të shkëmbejnë eksperienca dhe japin mesazhe në drejtim të Policimit në Komunitet, luftës kundër drogës, alkoolit, trafikimeve të ndryshme etj.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, pohon se ka marrë masat e nevojshme edhe në vazhdimësi për mbarëvajtjen pa incidente të mundshme, të gjithë procesit akademik 2009-2010.
Gjithashtu Policia e Tiranës, tha se po punon me programe të përbashkëta me Drejtoritë arsimore Rajonale, për krijimin e urave lidhëse dhe konsoliduese në drejtim të marrëdhënieve Polici-Shkollë-Komunitet.
Në këtë pikë, Policia e Tiranës, thotë u kërkon qytetarëve që ditën e parë të shkollës më datë 14 Shtator 2009, të qarkullojnë në rrugët publike duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor, dhe u sugjeron përdorimin e mjeteve të transportit publik për një rrjedhshmëri normale të trafikut.
Masat, vijnë bazuar në ligjin "Për Policinë e Shtetit", në zbatim të detyrave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit "Për marrjen e masave dhe forcimin e shërbimit të ruajtjes së rendit e sigurisë publike, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2009 - 2010".
"Strukturat e Policisë së Tiranës, kanë marrë masa të plota për organizimin dhe drejtimin e shërbimeve të policisë, krijimin e konsolidimin të një dimensioni të ri, në drejtim të marrëdhënieve Polici-Shkollë-Komunitet, në interes të garantimit të rendit e qetësisë publike, dhe zhvillimit normal të procesit mësimor në shkollat e të gjitha niveleve në Qarkun e Tiranës", - tha sot për agjencinë NOA, zëdhënësja Alma Katragjini.
Ajo shtoi se për mbarëvajtjen e këtij proçesi mësimor, janë ngarkuar me detyra, Patrulla e Përgjithshme e Policisë, strukturat e Hetimit të Krimit, Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, duke bashkëpunuar edhe me drejtuesit e shkollave, si dhe duke patrulluar shpesh herë në afërsi të shkollave dhe qendrave studentore, sipas juridiksionit që ato mbulojnë.
e.r/NOA