Kuçovë, 15 shtator NOA - Ambasada amerikane ka financuar rinovimin e shkollës fillore në Kuçovë duke bërë që nxënësit e saj të nisin vitin e ri arsimor me mjedise dhe pajisje të reja, bashkëkohore.
E ngarkuara me punë Deborah Jones, kreu i Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje (ODC) Martin Perryman dhe drejtori i zyrës për Asistencë Humanitare i EUCOM (Komanda Europiane e Shteteve të Bashkuara) Charles Brady, iu bashkuan autoriteteve vendore dje, në ceremoninë e përurimit për përfundimin e projektit të asistencës humanitare financuar nga Shtetet e Bashkuara, në qytetin e Kuçovës.
Zyra e Asistencës Humanitare (HA) të Komandës Europiane e Shteteve të Bashkuara (EUCOM) siguroi një fond prej afro 670.000 dollarë për të ndihmuar rinovimin e shkollës elementare "Dëshmorët e Kombit", në Kuçovë.
Projekti përfshinte riparimin e çatisë, rinovimin e mureve të brendshme dhe të jashtme, instalimi i dyerve dhe dritareve të reja, shtrimi me pllaka dhe instalimi i i shkallëve për daljet e emergjencës.
Kompania private SKE Group sponsorizoi fushën e basketbollit si dhe pajisjet e tjera të shkollës (tabela, bango, dërrasat, etj).
Ambientet e përmirësuara do bëjnë të mundur për fëmijët e kësaj zone që të kenë kushte më të mira mësimi.
Ky projekt përfaqëson përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe EUCOM për të asistuar Republikën e Shqipërisë.
Zyra për Bashkëpunim në Mbrojtje e Shteteve të Bashkuara, duke punuar ngushtë me autoritetet shqiptare, ka dhënë ndihmë humanitare që nga vitit 1999.
Projekte të tjera kanë përfshirë furnizime, rindërtime shkollash dhe qendrash mjekësore, zhvillimi i sistemeve të ujit të pijshëm dhe projekte të tjera jo ushtarake.
e.r/NOA