English

Dekretimi i qeverisë së re, Presidenti: Do t'i referohem Kushtetutës

Tiranë, 14 shtator, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar se për të dekretuar qeverisjen e re të prezantuar pranë tij nga kryeministri Berisha, do t'i përmbahet gjithmonë Kushtetutës dhe detyrimeve që cakton ajo.

Një pohim të tillë ai e ka bërë i pyetur nga gazetarët menjëherë sapo ka përfunduar ceremonia e hapjes së ditës së parë të shkollës "Servere Maçi" në kryeqytet, aty ku ai edhe ka bërë përshëndetjen e rastit.

"Dekretimi i qeverisë së re do të jetë në plotësim të detyrimeve kushtetuese", tha lidhur me një fakt të tillë kreu i shtetit.

Ndërkaq, i pyetur për dekretimin apo jo të ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, Topi deklaroi se pushtetet janë të ndara, duke lënë të nënkuptojë se ai nuk do të ketë varësi nga vendimi i gjyqësorit ndaj emrit të ministrit të ri.

Sot pritet që dekretimi i presidentit për qeverinë e re t'i kalojë Kuvendit dhe aty të ketë edhe një seancë të veçantë për miratimin e emrave të tyre, gjë e cila finalizon edhe krijimin e qeverisë së re që do jetë në krye të vendit gjatë periudhës 2009-2013.

n.e/NOA

KOMENTE