Tiranë, 14 Shtator NOA Update - Shqipëria renditet e 65-ta sikundër edhe një vit më parë, në "Indeksin e Lirisë Ekonomike të Botës për vitin 2009", por me gjasa të përmirësojë pozitën e saj si rezultat i masave të qeverisë ndaj ndikimit të reçesionit global.
Raportin Vjetor 2009 - Liria Ekonomike e Botës e publikoi sot pasdreke, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER).
"Shqipëria përbën një rast interesant studimi, - thuhet në raport dhe vijohet: "Ajo tregon se vetëm madhësia racionale e qeverisë nuk është e mjaftueshme për të siguruar përfitimet e lirisë ekonomike. Institucionet e lirisë ekonomike, si shteti ligjor dhe të drejtat e pronës, si dhe sektori monetar, hapja tregtare dhe rregullimi ligjor janë të nevojshme".
Ndërkohë, Shqipëria u rendit mjaft lart - në vendin e 8-të në Madhësinë e Qeverisë: Shpenzime, Taksa dhe Sipërmarrje (Fusha 1) dhe e 7-ta në Sektorin Monetar (Fusha 3). Pavarësisht kësaj, Shqipëria u vlerësua dobët në të gjitha kategoritë e tjera: e 92-ta në Strukturën Ligjore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Pronës (Fusha 2), 112-ta në Lirinë e Tregtisë Ndërkombëtare (Fusha 4), dhe e 113-ta në Sistemin Ligjor (Fusha 5). "Pavarësisht renditjeve relativisht të larta në disa fusha, renditja e përgjithshme e Shqipërisë ishte e 65-ta", vëren raporti.
Raporti i këtij viti përfshin gjithashtu studime të reja që analizojnë ndikimin e mundshëm të recesionit global në nivelet e lirisë ekonomike.
Sugjerohet se liria ekonomike mund të pësojë rënie në afat-shkurtër si pasojë e krizës, por në një periudhë afat-gjatë, liria ekonomike ka një prirje të rritet pas një krize bankare.
"Liria Ekonomike është mjaft e rëndësishme për garantimin e prosperitetit dhe reduktimin e varfërisë, ndaj dhe gjykimi se ajo mund të rritet në afat-gjatë pas një krize financiare përbën një lajm të mire", - tha dr. Zef Preci, Drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), partnere lokale e Institutit Fraser për raportin në fjalë.
Raporti rendit Hong Kongun në vendin e parë, i ndjekur nga Singapori e më pas Zelanda e Re.
Sërish, Zimbabve ka nivelin më të ulët të lirisë ekonomike midis 141 vendeve të përfshira në studim, e ndjekur nga Mianmari, Angola dhe Venezuela.
Raporti i vitit 2009 është bazuar në të dhënat e vitit 2007, vit nga i cili kemi të dhënat e mundshme.
Raporti vjetor i Lirisë Ekonomike në Botë i rishikuar nga ekspertë është përgatitur nga Instituti Fraser në Kanada në bashkëpunim me institutet e pavarura në 75 shtete dhe territore.
Ky raport përdor 42 njësi matjeje të ndryshme për të krijuar një indeks që i rendit vendet e mbarë botës në bazë të politikave që inkurajojnë lirinë ekonomike.
Gurët e themelit të lirisë ekonomike janë: liria e zgjedhjes personale, shkëmbimi vullnetar, liria për të konkurruar dhe garantimi i pronës private.
Liria ekonomike është matur në pesë fusha të ndryshme: (1) madhësia e qeverisjes; (2) struktura ligjore dhe garantimi i të drejtave të pronës; (3) gjendja e sektorit monetar; (4) liria e tregtisë ndërkombëtare; (5) rregullimi ligjor i kredisë, tregut të punës dhe biznesit.
Studimi tregon se individët që jetojnë në shtete me nivel të lartë të lirisë ekonomike gëzojnë nivel më të lartë të mirëqenies, më shumë liri individuale dhe më shumë jetëgjatësi.
Raporti i këtij viti përmban gjithashtu kërkime të reja që tregojnë influencën e lirisë ekonomike në reduktimin e varfërisë.
"Liria ekonomike" përbën një nga themelet kryesore të ndërtimit të kombeve më të zhvilluara në botë.
Shtetet me nivele të larta të lirisë ekonomike janë ato në të cilët njerëzit gëzojnë standarde të larta të jetesës dhe lirive personale.
Ndërsa vendet në fund të indeksit përballen me situatën e kundërt; qytetarët e tyre janë shpesh të zhytur në varfëri, të qeverisur nga regjime totalitare dhe kanë pak ose aspak të drejta ose liri individuale, tha Dr. Zef Preçi.
Detajet
Shqipëria vlerësohet në komponentët kryesorë të lirisë ekonomike (nga 1 në 10-të ku vlera më e lartë tregon një vlerë më të lartë të lirisë ekonomike):
·Madhësia e qeverisë: ndryshuar në 8.07 nga 8.92 krahasuar me raportin e mëparshëm
·Strukturat ligjore dhe garantimi i të drejtave të pronës: ndryshuar në 4.94 nga 4.13
·Sektori Monetar: ndryshuar në 9.57 nga 9.64
·Liria e tregtisë ndërkombëtare: ndryshuar në 5.93 nga 5.44
Rregullimi ligjor i kredisë, tregut të punës dhe biznesit: ndryshuar në 5.80 nga 6.40
Komenti ekonomik
"Megjithë përparimin e shënuar, Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë në konsolidimin dhe përmirësimin e lirisë ekonomike të saj, dhe veçanërisht në garantimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme", - thotë Dr. Zef Preci.
Sipas tij, "kjo është e mundur përmes përmirësimit të performancës së administratës publike; luftës kundër korrupsionit; nxitjes së zhvillimit ekonomik duke shfrytëzuar burimet e rritjes në dispozicion; investimeve në sektorin energjetik; thellimit të reformave në sektorin arsimor dhe shëndetësor dhe reduktimit të përjashtimit social".
Liria Ekonomike në Botë
Klasifikimet ndërkombëtare
Në indeksin kryesor të këtij viti, Hong Kongu mban renditjen më të lartë për lirinë ekonomike, 8.97 nga 10 pikë maksimale. Vendet e tjera kryesuese janë: Singapor (8.66), Zelandë e Re (8.30), Zvicër (8.19), Kili (8.14 ), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (8.06), Irlandë (7.98), Kanada (7.91), Mbretëria e Bashkuar dhe Australia (7.89), dhe Estonia (7.81).
Renditjet dhe pikët e ekonomive të tjera të mëdha përfshijnë Tajvanin me të njëjtat pikë si Finlanda dhe Mauritius në vendin e 16-të (7.62); Gjermania 27 (7.50); Japonia 28 (7.46); Korea e Jugut 32 (7.45); Francë 33 (7.43); Spanjë, 39 (7.32); Suedi, 40 (7.28); Itali, 61 (6.95); Meksikë, 68 (6.85); Izrael, 78 (6.69), Kinë, 82 (6.54), Rusi, 83 (6.50), Indi, 86 (6.45); Argjentinë, 105 (6.10), dhe Brazil, 111 (6.00).
Shumë prej shteteve kanë pësuar rritje të konsiderueshme dhe janë bërë relativisht të lira gjatë dekadës së fundit.
Kështu, Estonia është ngjitur në renditje me 2.0 pikë që nga viti 1995 dhe është tashmë një nga ekonomitë më të lira në botë e renditur përgjithësisht në vendin e 11-të.
Lituania dhe Letonia janë ngjitur në renditje me të njëjtin ritëm që nga viti 1995 dhe renditja e vitit 2007 është më e madhe se 7.0 pikë. Renditjet e Qipros, Hungarisë, Kuvajtit dhe Koresë së Jugut janë përmirësuar gjithashtu në mënyrë të dukshme dhe janë tani 7.25 pikë e më shumë.
Dy prej ekonomive Afrikane, Gana dhe Zambia janë bërë më të lira duke marrë vlerësime respektivisht prej 6.97 dhe 7.16 pikë.
Megjithatë jo të gjithë lajmet janë të mira. Liria Ekonomike është në rënie në disa vende të tjera.
Renditja e Zimbabve ka rënë me 3.18, ndërsa Argjentina ka rënë me 0.80 që prej vitit 1995. Gjatë të njëjtës periudhë, renditja për Malajzinë dhe Filipinet ka rënë po ashtu. Që prej vitit 2000, renditja e Venezuelës ka rënë me më shumë se 1.5 pikë, në 4.07. Gjatë të njëjtës periudhe, renditja e Nepalit ra nga 5.18 në 5.62.
Shtetet e Bashkuara kanë pësuar rënie po ashtu në 7.88 nga 8.55 pikë në vitin 2000, gjë që e ka çuar renditjen e përgjithshme në vendin e 7-të nga e 2-ta prej vitit 2000.
Liria Ekonomike dhe Reçesioni Global
Publikimi i Raportit të vitit 2008 i "Lirisë Ekonomike në Botë" përfshin gjithashtu studime të reja që analizojnë impaktin e mundshëm të recesionit global në nivelet e lirisë ekonomike.
Studimi analizon krizën bankare që ndodhi në Norvegji dhe Suedi gjatë vitit 1990' dhe doli me konkluzionin se, pavarësisht se liria ekonomike mund të pësojë rënie në afat-shkurtër për shkak të masave të marra ndaj krizës, ajo ka një prirje të rritet në afat-gjatë pas krizës bankare.
Në rastin e Norvegjisë dhe të Suedisë, kriza bankare nuk i pengoi këto vende nga vazhdimi i politikave reformatore bazuar në treg.
"Pavarësisht se një krize bankare mund të jete shumë e dhimbshme, me ligjet dhe masat e duhura të vendosura nga qeveria ajo mund të ndreqet. Në fakt, në këtë rast ligjet e dobëta të kombinuara me krijimin e shumë likuiditeteve, patën një rol vendimtar në krijimin e krizës aktuale", tha Fred McMahon, Drejtor i Qendrës për Studime Globalizimi ne Institutin Fraser.
Liria Ekonomike në Botë
"Masat afat-shkurtra të qeverive pothuajse me siguri do të arrijnë të kufizojnë lirinë ekonomike, por historia tregon se ky efekt nuk do te zgjasë në afat-gjatë. Shumë shtete që kanë kaluar eksperiencën e krizës financiare kanë mundur të sigurojnë një liri ekonomike më të madhe në vitet pasuese. Ndikimi në lirinë ekonomike varet se ç'farë arritëm të mësojmë nga kriza. A do të zhvendosemi drejt institucioneve dhe politikave më konsistente me liri ekonomike? Apo do të politizojmë, menaxhojmë keq dhe rrisim rolin dhe madhësinë e qeverisë? Nëse zgjedhim të ndjekim këtë të dytën, fati ynë do të jete i ngjashëm me atë të gjeneratës së viteve 30'; ne do të ndeshemi me një dekade stanjacioni dhe rënieje".
Rreth Indeksit të Lirisë Ekonomike
Liria Ekonomike në Botë mat shkallën në të cilën politikat dhe institucionet e shteteve mbështesin lirinë ekonomike. Publikimi i këtij viti rendit 141 shtete që përfaqësojnë 95% të popullsisë në botë për vitin 2008, viti i fundit për të cilin ka të dhëna të disponueshme. Gjithashtu, raporti përditëson të dhënat e raporteve të mëparshme në ato raste kur të dhënat janë rishikuar.
Dy fjalë për QSHKE
Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike synon të promovojë thellimin e reformave ekonomike nëpërmjet kryerjes së studimeve të pavarura mbi problemet e tranzicionit duke nxitur debatin profesional mbi politikat publike.
Qendra ofron analiza të politikave publike kundrejt aspekteve sociale dhe ekonomike të tranzicionit dhe promovon fuqizimin e sektorit jo-qeveritar për të mbështetur progresin demokratik të Shqipërisë.
e.r/NOA