Bagdad, 14 shtator NOA-Muntazer Al Zaidi, gazetari i cili u dënua me burg, për shkak se kishte sulmuar me këpucë ish-presidentin amerikan, George Bush, pritet të lirohet nga burgu nesër, një ditë më vonë sa që pritej, ka njoftuar sot familja e tij.
Vëllai i Zaidit, Durghami, theksoi para gazetarëve se ende nuk janë kompletuar të gjitha procedurat e nevojshme ligjore dhe se duhet të presin së paku edhe një ditë, deri në lirimin e Muntazerit.
"Ai më thirri nga burgu dhe më njoftoi se nuk do ta lirojnë sot, por nesër", theksoi Durgham.
Edhe përkundër faktit se Al Zaidi ka vuajtur deri në fund dënimin e tij në burg, të burgosurit në Irak zakonisht përballen me shtyrje disaditore të lirimit të tyre, përderisa të mos nënshkruhen dhe miratohen dokumentet për lirimin e tyre.
Zaidi fillimisht ishte dënuar me tri vjet burg, nën akuzat se kishte sulmuar një burrështetas të huaj, por pas ankesës, dënimi i tij u zbut në një vit. Më pas, dënimi i tij u zbut sërish, për shkak të sjelljeve të tij të mira në burg.
Zaidi më 14 dhjetor të vitit të kaluar kishte gjuajtur Bushin me këpucë, gjatë konferencës për shtyp e cila u organizua pas vizitës së tij lamtumirëse në Bagdad.
Â
Â