Prishtinë, 14 shtator NOA-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi nënshkruan sot me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell, marrëveshjen e parë formale bilaterale për ndihmë ekonomike në mes SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës.
 Kjo ndihmë do të orientohet në zhvillimin e gjithanshëm dhe veçanërisht në fushat infrastrukturore për Kosovën, në ekonomi, në transporte, në edukim dhe aspekte të tjera.
Presidenti Sejdiu, e ka vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjes si një moment tepër të veçantë për ndihmë ekonomike në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Mund të them se është një marrëveshje që nxjerr dhe sheshon edhe më tej përkushtimin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmë Kosovës, duke ju bashkangjitur ndihmave të vazhdueshme që ky vend mik ka bërë për Kosovën", theksoi Sejdiu në një deklaratë para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.
Edhe kryeministri Thaçi, nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes e ka vlerësuar si dëshmi e fuqishme e lidhjeve për ndihmë për të sotmen dhe të ardhmen në mes të dy vendeve.
"Kjo marrëveshje paraqet edhe një garanci tjetër të përkushtimit të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetje Kosovës", theksoi kryeministri Thaçi.
Ndërsa ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Kristofer Dell shprehu përkushtimin e vendit të tij për ndihmë Kosovës.
"Qeveria e SHBA-ve mbetet e përkushtuar për t'i ndihmuar Kosovës së pavarur dhe për ta realizuar qëllimin tonë të përbashkët për ndërtimin e një vendi demokratik, shumetnik dhe përparimtar për të gjithë qytetarët e Kosovës", tha ambasadori Dell.