Gjenevë, 14 shtator NOA - Parashikimet për një përhapje të gjerë të gripit të derrave kanë detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë të deklarojë se mbyllja e shkollave aktualisht të hapura dhe ndalimi i çeljes së atyre të pritshme për sot, do të stabilizonte disi situatën.
Deklaratën e bëri selia qendrore e PBSH në Gjenevë, e cila tha se mbyllja e shkollave në të gjithë botën do të neutralizonte përhapjen e virusit A/H1N1.
Ndërsa njëkohësisht konsideroi se ndalimi i çeljes së shkollave në të gjithë botën, do t'i krijonte mundësinë në kohë autoriteteve shëndetësore të pajiseshin me vaksinën kundër gripit të derrave për popullatën e gjerë.
Pavarësisht deklaratave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paktën Shqipëria nuk ka ndërmend të mbyllë shkollat.
Shkollat në të gjithë vendin pritet që sot të hapin dyert për të pritur nxënësit e sistemit 9-vjeçar dhe atij të mesëm.
Ditët e fundit Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, vlerësuan se situata e gripit të derrit në vend nuk është kaotike duke kërkuar që të nisë normalisht viti i ri shkollor.
Në vendin tonë numërohen 31 raste të infektuar nga virusi A/H1N1. Të gjithë pacientët kanë lënë spitalin pasi ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
/e.r/k.k/NOA/Â