Prishtinë, 15 Shtator NOA - Demonstrata që u mbajt dje në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinës, erdhi si zë i fuqishëm, kundër protokolleve EULEX-Serbi, kundër hipokrizisë së krerëve institucionalë të Kosovës dhe për sovranitet.
Thirrjes për demonstratë të organizuar nga 24 organizata shoqërore iu përgjigjën mbi 3 mijë protestues.
Demonstrata filloi në orën 12:00 nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, kur pjesëmarrësve iu drejtua Visar Ymeri nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ai i shpjegoi arsyet e organizimit të demonstratës duke thënë:
"Protokolli për bashkëpunim policor mes EULEX dhe Serbisë i nënshkruar të premten është vetëm fillimi. Dy protokolle tjera janë duke u përgatitur për gjyqësi dhe dogana. Secili më i keq se tjetri, duke ia cenuar kështu Kosovës jo vetëm sovranitetin por edhe mundësinë për ta ushtruar atë në të ardhmen. Duke ia hapur derën Serbisë përherë e më shumë dhe duke na i trashur lidhjet me të. Prandaj jemi mbledhur sot - për ta kundërshtuar këtë hapje të derës dhe për ta kundërshtuar këtë trashje të lidhjeve."
Nga Biblioteka Kombëtare marshi demonstrues vazhdoi nëpër rrugën "Agim Ramadani" drejt objekteve të institucioneve të Kosovës.
Përpara Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës të pranishmëve iu drejtua Igbale Rogova nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.
Ajo tha: "Me këto prokotolle nuk i bartin pasojat krerët e institucioneve por vetë qytetarët e Kosovës! Pasojat e pazarllëqeve mes EULEX-it dhe Serbisë i bartin nënat që janë në grevë qe 15 ditë me vetëm një kërkesë të vetme: të identifikohen mbetjet mortore të fëmijëve të tyre! Ato sot ndryshuan mënyrën e grevës duke vazhduar me grevë të urisë! Ndërsa zyra e kryeministrisë ndaj këtyre grevisteve kishte një përgjigje: "Qeveria nuk merr përgjegjësi për shëndetin e nënave"! Turp të ketë kjo qeveri! Vetëm për këtë përgjigje të turpshme duhet të japin dorëheqje! Ato nana nuk janë vetëm! Ne jemi me to! Dhe ne kërkojmë prej Qeverisë përgjegjësi për shëndetin e nënave! Kërkojmë përgjegjësi për miratimin e protokolleve."
Pas Igbales demonstruesve iu drejtua Avni Zogiani nga organizata ÇOHU. Avniu ua përkujtoi të pranishmëve të gjitha rrenat e deritashme të krerëve institucionalë:
"Para një viti liderët kosovarë thanë se 6 Pikëshi ka vdekur, por protokollet EULEX-Serbi janë rezultat i 6 Pikëshit të Ban Ki-Moon-it. Pra, Ata po rrejnë!. Ata thanë se edhe Protokolli EULEX-Serbi është i vdekur, por protokolli u nënshkrua. Ata thonë se nuk e njohin protokollin, por do të bashkëpunojnë me EULEX-in, që është nënshkrues i Protokollit. Pra, ata nuk e kanë kundërshtuar protokollin EULEX-Serbi. Ata po rrejnë!. Ata thanë vetë se protokollet EULEX-Serbi janë të këqija; se ato janë kundër shtetësisë së Kosovës. Tash kur është shtuar presioni ndaj tyre ata po heshtin, e heshtja është pranim. Ata nuk po i kundërshtojnë protokollet me Serbinë. Ata po rrejnë! Ata po na flasin neve për integrim të Kosovës në BE. Në BE po integrohet Serbia sa më shumë që po ushtron dhunë në Kosovë. Kosova po izolohet sa më shumë që po koordinohet me ndërkombëtarët. Ata po rrejnë!."
Më pas marshi demonstrues vazhdoi drejt ndërtesës së EULEX-it. Aty pjesëmarrësve në demonstratë iu drejtua deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali.
"Institucionet e Kosovës, bartësit, liderët tanë, kanë borxh të na tregojnë se kush lëshoi pe për këtë protokoll, për shkak se pa pëlqimin e vendorëve ky protokoll do të ishte i paligjshëm. Liderët tanë duhet të na tregojnë se pse betoheshin kur thonin se nuk do të ketë më lëshime në dokumentin e Ahtisaarit, se ky është kompromisi më i dhimbshëm. 6 Pikëshin kush e pranoi? Ne qytetarët e Kosovës duhet ta dimë këtë dhe ata na e kanë borxh. Po ashtu edhe EULEX-i duhet ta dijë se këta liderë dhe tjerë, janë të përkohshëm. Janë liderë derisa i mbrojnë interesat e qytetarëve. Në momentin kur nuk i mbrojnë interesat e qytetarëve, kot e kanë të nënshkruajnë protokolle me firmën e tyre, se nuk janë më liderë të qytetarëve."
Pas Talit masës demonstruese u foli Albin Kurti nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Albini tha se Kosova pas pavarësisë ndryshoi vetëm emrin:
"Edhe në Kosovën e pavarur nuk ngucen strukturat paralele të Serbisë, nuk ka kurrfarë drejtësie për viktimat e luftës dhe nuk akuzohet askush nga politikanët e lartë për korrupsion. EULEX-i nuk na sheh neve si njerëz në krizë ku mungojnë drejtësia dhe zhvillimi ekonomik, por si njerëz të krizës që duhet menaxhuar për të mos shpërthyer. EULEX-i nuk na sheh si viktima të krizës në të cilën ndodhemi, por si fajtorë potencialë në rast të shpërthimit të saj. Të papunët e ish luftëtarët, mësuesit e arsimtarët, profesorët e mjekët, pensionistët e minatorët, bujqit e zejtarët janë në gjendje të mjerë si asnjëherë më parë. Ama nuk është kjo mënyra se si na sheh neve EULEX-i. Ai nuk e sheh vendin tonë si vend i njerëzve me të drejta e si shoqëri me nevoja. Ai na sheh si një bandë masive që duhet disiplinuar. Prandaj, nuk na kanë sjellë ekspertë të ekonomisë e bujqësisë, të arsimit e shëndetësisë, por na kanë sjellë policë të armatosur e gjykatës që nuk i nënshtrohen ligjit që e zbatojnë mbi neve."
Organizatat që e kanë organizuar demonstratën e sotme dënojnë ashpër sjelljen e policisë së Kosovës ndaj qytetarëve të interesuar për pjesëmarrje. Gjatë ditës së djeshme por sot para demonstratës policia e Kosovës kishte shpërndarë fletushka kërcënuese ndaj demonstratës ku aludohej qartë në dhunën që mund të ushtrohet në demonstratë. Në këtë fletushkë kishin përdorur 6 herë termet akte të dhunshme, akte kriminale, akte shkatërruese dhe akte vandalizmi. Synimi i policisë ka qenë që ta pakësojë numrin e pjesëmarrësve në demonstratë duke përdorur teknika perfide të frikësimit.
/a.b/e.r/NOA/