English

Presidenti Topi: Përmes shkollës, nesër Shqipëria do jetë në familjen evropiane

Tiranë, 14 shtator, NOA - Dita e parë e shkollës e bën njeriun, që pavarësisht nga mosha, të përjetojë emocione të veçanta, për ata që ulen në bankat e shkollës, prindërit dhe mësuesit e tyre.

Fjalë të tilla ka zgjedhur presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë fjalës së tij përshëndetëse me rastin e ditës së parë të shkollës për arsimin parauniversitar.

Ai e ka bërë këtë në shkollën e tij ku ka studiuar vetë gjatë viteve të fëmijërisë, "Servete Maçi" në kryeqytet.

Në fjalën e tij ai i kushtoi një rëndësi mjaft të madhe edukimit që marrin nxënësit në shkollë.

"Siç e kanë thënë autoritete të larta botërore, nëse do të shohësh të ardhmen e kombit, shih të tashmen e fëmijëve. Kjo vlen edhe për ne. Shkolla është vendi ku përgatitet e ardhmja e vendit tonë, pa diskutim një e ardhme evropiane", tha ndër të tjera presidenti i Republikës.

Sipas tij, vetëm përmes shkollës fëmijët do të përfitojnë profesionet e duhura dhe do të bëjnë të mundur që Shqipëria në të ardhmen të jetë pjesë me të gjitha të drejtat në familjet evropiane.

Ai ka përshëndetur edhe të gjithë ata që studiojnë jashtë shtetit, duke u lënë porosi që ta mbajnë të gjallë gjuhën shqipe.

Sipas tij, sot ekzistojnë të gjitha kushtet që fëmijët shqiptarë të studiojnë me standardet evropiane.

n.e/NOA

KOMENTE