Tiranë, 14 Shtator NOA - Shoqata Kombëtare e të Shpronësuarve "Pronësi me Drejtësi", ka shtuar sot një varg pyetjesh ndaj ministrisë së Drejtësisë dhe titullarit të saj aktual Enkelejd Alibeaj, lidhur me përgatitjen prej tyre të ligjit për kompensimin e pronarëve.
Rrapo Danushi, kryetar i shoqatës, tha për agjencinë e lajmeve NOA, se pyetjet i drejtohen po ashtu edhe zëvendësministrit të Financave Sherefedin Shehu.
Dhjetë ditë më parë, zv/Ministri i Financave, Sherefedin Shehu, njoftoi se në vitin 2010, shteti do t'u japë pronarëve dhe ish-të përndjekurve nga 20 milionë euro për kompensimin e tyre!
Nisur nga ky lajm, "Pronësi me Drejtësi" fillimisht thekson se "ne, si përfaqësues të pronarëve legjitimë (jo ish!), pohojmë se nuk i kemi kërkuar lëmoshë qeverisë, por kërkojmë pronat tona që duhet të na i kishte kthyer që në vitin 1991 dhe që edhe sot pas 18 vjetësh edhe pse janë të lira, mbahen peng dhe nuk po kthehen për shkak të korrupsionit, apo pushtimeve"
"Do të ishte më e saktë të thuhej, - vijon deklarata, - që qeveria po vazhdon, duke i dhënë një kockë pronarëve për të mbuluar abuzimet, vjedhjet e pushtimet.
Shoqata evidenton se me këtë shumë më 2010 do të përfitojnë vetëm 220 pronarë.
Sipas shoqatës, "me këto thërrime që jep qeveria, - me këtë drejtim të gabuar që po vazhdon, do të duhen 1500 vite që të shlyhet fatura, pa diskutuar se ky tjetërsim i pronës nuk bëhet për nevoja publike por për interesa klanesh dhe politikanësh".
"Pronësi me Drejtësi" mendon se "është detyrimi i ministrisë së financave dhe tashmë e ministrit Bode, që të bëjë publike se sa është fatura e kompensimit dhe ta parashtrojë këtë në Këshillin e Ministrave, duke arsyetuar që kjo shumë është e pamundur të mbulohet dhe për këtë arsye, duhen që të kërkohet hartimi i një ligji të ri që të respektojë të drejtën e pronësisë konform detyrimeve kushtetuese ku të predominojë kthimi fizik i pronave tek i zoti, duke ulur në maksimum këtë faturë-gjigante për buxhetin".
Shoqata e pronarëve "Pronësi me Drejtësi", thotë se ka bërë studime e llogaritje dhe se e njeh mirë praktikën e të gjitha qeverive paskomuniste.
Ndaj thekson se ka arritur në bindje se kjo propagandë "kompensimi të pronarëve" është një bllof, që qeverisë i shërben për konsum të jashtëm, "pasi në Shqipëri nuk gjenden më naivë që ta besojnë këtë!".
Në këtë pikë, "Pronësi me Drejtësi" i drejtohet Shehut dhe Alibeajt me 9 pyetje me qëllimin që "të sqarojë pronarët publikisht në shtyp për këto pika":
1. A përputhet me nenet 181 dhe 41 të Kushtetutës në fuqi, kompensim për tokat e ndara me ligjin 7501 kur dihet se ligj 7501, nuk merr parasysh të drejtën e pronësisë, as kufijtë dhe as vendndodhjen e tokës së shpronësuar padrejtësisht nga diktatura. Mbas sa vjetësh do të përfundojë kompensimi duke zbatuar kufizimet shumëfishe për të shpronësuarin dhe kompensimi i metrit të fundit për të gjitha pronat që normalisht duhet të ishin kthyer në origjinë që në vitin 1991.
2. Nëse një anëtar i familjes që jeton në fshat ka përfituar nga një privatizim ose nga ligji 7501, po vëllai i tij dhe trashëgimtarët e të njëjtit pronar, përse përjashtohen nga e drejta e trashëgimisë dhe e pronës tyre të trashëguar me arsyetimin se ata jetojnë në qytet.
3 Nëse një ligj për pronat bie ndesh me të drejtën e pronësisë sipas nenit 41 dhe 181 të Kushtetutës, a duhet të anulohet ai ligj apo duhet të zbatohet dhe të thellohet edhe më tej.
4 Sipas mendimit tuaj vendimet për dhënien e titullit "person i stimuluar" personave të tretë, pas vitit 1995 pa marrë parasysh faktin se ajo tokë kishte zot dhe ishte e shpronësuar padrejtësisht nga diktatura, a përputhen me ligjin 8053 dhe nenin 41 dhe 181 /1 të Kushtetutës dhe ky legjislacion a përbën pengesë për integrim e Shqipërisë në BE.
5. Sipas ligjit në fuqi, kur fshati turistik ndryshon destinacionin, trualli i njihet dhe i kthehet trungut familjar të pronarit të shpronësuar. Përse ju si ministër i keni propozuar Qeverisë një ligj që është shumë më i keq se shtetëzimi komunist i vitit 1946.
6. Kompensimet për pronarët autoktonë të zonës turistike, si dhe projektligji për shitjen e trojeve të ish-fshatrave turistike bien ndesh me ligjin 8053 të vitit 1995 dhe ligjin nr. 9948 të vitit 2008. Ju pyesim: Pse mbështetësit e këtyre ligjeve janë të interesuar për thellimin e anarkisë institucionale dhe për të realizuar grabitjen e zyrtarizuar të bregdetit.
8. Si njeri i drejtësisë a mund të na thoni publikisht në përgjigjen tuaj se si duhet të veprojnë pronarët që të miratohet një ligj që të thotë se Kushtetuta duhet të zbatohet dhe se ligjet që bien ndesh me kushtetutën janë nul dhe pa vlerë juridike dhe që ky ligj të mos mbetet në letër por të zbatohet.
9. Në vlerësimin tuaj qytetar ju a e vlerësoni të drejtë kërkesën tonë që Qeveria e re e koalicionit Berisha -Meta, të angazhohet me prioritet që të anulojë gabimet e bëra me pronat nga 1991, të angazhohet dhe të çlirojë pronat private të pushtuara pas vitit 1991 nga personat e tretë si dhe ti kthejë ato në pronësi të pronarit të shpronësuar apo për të realizuar këtë do të duhet që veç kërkesave të shoqatës, pronarët në mënyrë masive ti drejtohen institucioneve ndërkombëtare, BE dhe Senatit të SHBA që ata të ndihmojnë efektivisht për zbatimin e të drejtës së pronës së trashëguar dhe vendosjen e shtetit ligjor. Në pritje të përgjigjes tuaj në media.
e.r/NOA