English

Refuzimi nga Gruevski i dorëheqjes së ministrit të Transporteve irriton Sofjen

Shkup, 14 shtator, NOA - Refuzimi i kryeministrit Nikolla Gruevski për të mos pranuar dorëheqjen e ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski ka irrituar autoritetet bullgare.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencitë bullgare të lajmeve, të cilat citojnë burime qeveritare bullgare që e konsiderojnë vendimin e Gruevskit si provokativ dhe të papërgjegjshëm.

Ministri Janakievski ofroi dorëheqje në ditën e tragjedisë në Ohër, ku humbën jetën 15 shtetas bullgarë nga fundosja e anijes "Ilinden".

Opinioni i ekspertëve është se mospranimi i dorëheqjes do të rrezikojë në masë të madhe marrëdhëniet edhe ashtu jo të mira midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Eksperti i së drejtës penale, Osman Kadriu vlerëson se pikërisht kryeministri me sjelljen e tij mban përgjegjësi për mospranimin e dorëheqjes.

"Dorëheqja e dhënë dhe më pas e refuzuar është një lojë që nuk do të shihet mirë në opinionin ndërkombëtar dhe kjo do të ndikojë në marrëdhëniet midis dy vendeve Bullgarisë dhe Maqedonisë, edhe pse këto marrëdhënie nuk janë në nivelin e duhur. Kryeministri i cili nuk pranon një dorëheqje ai vetë futet në mënyrë indirekte në përgjegjësi politike", ka theksuar Kadriu.

Ndërkohë pritet edhe reagimi zyrtar i Sofjes, për të vlerësuar mospërgjegjësinë e krerëve shtetërorë maqedonas për tragjedinë e Ohrit.

NOA-INA

KOMENTE