Tiranë, 14 shtator NOA - Deputetja, Ledi Shmaku ka uruar në emër të Partisë Socialiste, nxënësit të cilët sot filluan vitin e ri shkollor.
"Sot është dita e parë e shkollës për afro 650.000 mijë fëmijë dhe për thuajse 40 mijë kujdestarë të dritës së dijes. Sot është Dita e Arsyes!
Partia Socialiste uron dhe i jep zemër gjithkujt që sot i rikthehet mundit për ta fuqizuar arsyen dhe dijen.
Partia Socialiste është pranë të gjithë vocërrakëve që sot kanë marrë për herë të parë çantat e shkollës mbi shpinë.
Partia Socialiste është me shpirt e zemër edhe tek gjithë ata fëmijë që sot varfëria i pengoi të ulen në bankat e shkollës, bri moshatarëve të tyre" deklaroi Shmaku.
"Partia Socialiste është sot, më shumë se kurrë, në krah të atyre arsimtarëve që besuan, formësuan dhe mbështetën projektin tonë për një Arsim të Shekullit të Ri, e pikërisht për këtë besim dhe mbështetje sot gjenden të papunë për faj të një hakmarrjeje të klaneve tribale që ende e qeverisin këtë vend.
Gjithkujt, fëmijë, prind a mësues, që sot, në këtë Shqipërinë tonë ja ka blatuar ditën dritës së arsyes dhe qytetërimit që lind dhe rritet veç falë kësaj drite, çdo shqiptari që sot mban gjallë me mund e zemër vlagën e shkollimit e të rritjes kombëtare, Partia Socialiste i uron fillim të mbarë e zemër të fortë. E, bashkë me urimin, i siguron sërish të gjithë shqiptarët se është bashkë me ta, njësh me ta, në rrugën e pashmangshme të ndryshimit" përfundoi Shmaku.
k.k/NOA